E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI: Troika na penalizoi për paaftësinë e qeverisë

03/02/2005  Dervishaj kërkon reagim për luftën kundër korrupsionit dhe zgjedhjet e lira

Lëvizja Socialiste për Integrim ka kritikuar deklarimet e bëra dy ditë më parë nga ministri i Punëve të Jashtme, Kastriot Islami, para Troikës së Bashkimit Evropian. Sipas zëdhënësit politik në këtë parti, Sokol Dervishaj, "LSI-ja shpreh shqetësim për deklarimet e BE-së për bllokimin e reformave në kuadër të Procesit të Stabilizim-Asociimit". Shtyrja e afatit të nënshkrimit të marrëveshjes me BE-në për vendin tonë, për LSI-së ka ardhur si rezultat "i mungesës së vullnetit politik të kësaj qeverie dhe dështimit të plotë për të ndërmarrë dhe realizuar me korrektësi reformat e kërkuara". Një nga çështjet kryesore ku BE-ja ka vënë theksin, ka qenë realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërkohë që, sipas LSI-së, vullneti veçanërisht i mazhorancës socialiste lë shumë për të dëshiruar, duke përbërë një rrezik për procesin, i cili është kushti kryesor i asociimit të vendit në strukturat ndërkombëtare. Deklarata e Troikës Evropiane lidhur me reformën zgjedhore, theksonte dhe respektimin e të drejtës të opozitës dhe të forcave të tjera parlamentare. Dervishaj thekson se, "deklarimet e bëra nga përfaqësuesi i qeverisë janë papërgjegjshmëri dhe përpjekje për të mos identifikuar përgjegjësinë". Gjithashtu nga BE-ja është kërkuar reformim i sistemit të drejtësisë dhe luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Lidhur me këto çështje, LSI-ja vlerëson se "është absurditet të deklarohet se këto janë mundësitë tona dhe se problemet janë mangësi teknike apo të mosfunksionimit të administratës publike për shkak të kapaciteteve të saj të ulëta, pasi reforma në këto sektorë është një ndër më të rëndësishmet që qeveria duhet të kishte ndërmarrë". LSI-ja ka marrë angazhimin me politikat e saj për të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për plotësimin e standardeve të kërkuara nga bashkësia ndërkombëtare, duke filluar që nga garantimi i votës së lirë deri te miratimi i ligjit për konfliktin e interesave.

Meta nis takimet në Skrapar

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, me tone të ashpra i është drejtuar strukturave shtetërore për normalizimin e situatës së krijuar në vend nga kushtet atmosferike. Gjatë një takimi me banorë të zonës së tij në Skrapar, rreth i cili po vuan nga situata e rënduar nga reshjet e borës, Meta ka shprehur shqetësimin për gjendjen e krijuar në shkallë vendi. Meta i ka cilësuar si tepër të vonuar dhe të ngadaltë reagimet e strukturave shtetërore, si dhe atyre qendrore dhe lokale. Disa ditë më parë, kreu i LSI-së ka kërkuar nga qeveria shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë zonat e përfshira nga koha e keqe. Aktualisht, gjendja në zonën e Skraparit është e rënduar dhe rreth 4 mijë banorë gjenden të izoluar nga bora. Shumica e rrugëve që lidhin komunat me qendrat urbane gjenden të bllokuara dhe qarkullimi është tepër i vështirë. Mbi 50 fshatra janë pa energji elektrike, sidomos në zonën Tomorricës. Meta ka kërkuar nga nënprefektura ndërhyrje të menjëhershmë për përballimin e gjendjes së vështirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›