PS zgjedh strukturat në Lezhë
03/02/2005 Në Partinë Socialiste dega Lezhë ka vazhduar dje proceset e zgjedhjes së kryetarëve për 16 organizatat socialiste të këtij rrethi. Përfaqësuesit e selisë qendrore kanë ndjekur nga afër mbarëvajtjen e këtij procesi, i cili pritet të zgjasë dhe dy ditët në vazhdim. Pas zgjedhjes së Kryesisë së PS-së për degën e këtij rrethi, ka nisur zbatimi i vendimit të dalë disa ditë më parë nga Komisoni Qendror i Garancive Statuore për zgjedhjen e strukturave organizative në këtë rreth. Rrethi i Lezhës ka disa muaj që po tërheq vëmendjen e selisë qendrore pas konflikteve mes anëtarëve të kryesisë së kësaj dege. Riorganizimi i Këshillit Zonal të PS-së në 16 organizata socialiste pritet të zgjidhë përfundimisht problemin e socialistëve në këtë rreth. Zanafilla e konflikteve ka ardhur për shkak të pakujdesisë gjatë procesit të numërimit të fletëve të votimit gjatë zgjedhjes së Komitetit Drejtues të Lezhës.