E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, Xhufi: Vendi i kërcënuar përballë efekteve të krizës

LSI i ka kërkuar kryeministrit të respektojë kërkesën që kjo forcë politike ka depozituar në kuvend dhe ti përgjigjet nje interepelance për krizën. Nënkryetari Xhufi tha se përballë krizës, rritja e pagave dhe pensioneve është e paargumentuar. 

TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim i ka kërkuar kryeministrit Berisha të respektojë kërkesën që kjo forcë politike ka depozituar në kuvend dhe ti përgjigjet nje interepelance për krizën ekonomike. Nënkryetari i LSI Pëllumb Xhufi tha sot se vendi është i kërcënuar përballë efekteve të krizës dhe papërgjegjshmërisë së Berishës.

“Ne vërejmë me shqetësim të madh që qeveria shqiptare po ecën në drejtim të kundërt me drejtimin që po ecin të gjithë qeveritë e vendeve të qytetëruara në kushtet e krizës globale. Ne vëmë re me shqetësim të madh se qeveria Berisha, në kundërshtim të plotë me rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës së Shqipërisë, po rrit në mënyrë shqetësuese shpenzimet jo produktive për qëllime elektorale” theksoi Xhufi përpara gazetarëve.

Edhe rritja e pagave dhe pensioneve sipas LSI-së është e paargumentuar.
“Lajmi për rritjen e pagave, është një lajm pozitiv që ne do ta duartrokisnim vërtet në kushte të tjera, por sot çdo shqiptar pyet, edhe ne si forcë politike pyesim, se sa e bazuar është në buxhet një rritje e tillë e pagave, dhe a do të ndiqet kjo rritje e premtuar pagash dhe pensionesh me rritje çmimesh dhe me rritje tarifash shërbimesh, siç ka ndodhur, për fat të keq, në këto katër vjet të qeverisjes Berisha” deklaroi nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›