E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI apel qeverisë: Po bie ekonomia e shqiptarëve

Në një deklaratë për shtyp Nënkryetarja e LSI, Filloreta Kodra vuri ne dukje gjendjen e rëndë ekonomike të shqiptarëve dhe indiferencën e Qeverisë, që nuk reflekton ne marrjen e masave 

TIRANE-LSI shprehu sot shqetësimin e saj për përkeqësimin e gjendjes ekonomike në vend dhe pandjeshmërinë dhe indiferencën e Qeverisë, që reflekton në mosmarrjen e asnjë mase për parandalimin e kolapsit ekonomik në vend.
Në një deklaratë për shtyp në emër të LSI, Nënkryetarja e kësaj partie, Filloreta Kodra përcolli gjendjen e rëndë ekonomike të shqiptarëve duke iu referuar rritjen e cmimeve të produkteve jetike për shqiptarët.
”Ndërsa çmimi i karburanteve në botë është ulur tre herë, në Shqipëri është ulur vetëm 20%, duke abuzuar hapur me konsumatorët. Gjendja e rënduar ekonomike duket qartë edhe në rritjen e pakontrolluar të cmimeve të produkteve më të domosdoshme të përditëshme e më jetësorë për qytetarët, që ndikon direkt në uljen e nivelit të jetesës së tyre”.
Kodra solli në vëmendje të opinionit shqiptar Maqedoninë fqinjë që ndryshe nga Shqipëria ka hartuar strategji përkatëse për cdo goditje të mundshme nga kriza ekonomike botërore.
Sipas LSI pavarësisht situatës së rënduar Qeveria nuk po reagon pozitivisht. “Me këtë politikë, kjo Qeveri që nuk do të luftojë korrupsionin, u merr dyfish çmimin e energjisë shqiptarëve të ndershëm që respektojnë ligjin dhe paguajnë taksa; njëherë me faturat e KESH dhe herën e dytë me shpërdorimin e fondeve publike për të subvencionuar një ndërmarrje të falimentuar”, theksoi Kodra duke kërkuar që shqiptarët të mos pranojnë të mashtrohen më nga Berisha.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›