Grushte e gjak, takimi Lushnja-Apolonia shndërrohet në shesh lufte
Gjakosje, gurë e sende të hedhura, kartonë të kuq e të verdhë, ndërprerje loje, grindje midis tifozerive, ndërhyrje e ashpër e policisë për të vendosur rregull. Një derbi myzeqar i fituar “dhunshëm” nga vendasit, por i shoqëruar me incidente të shumta në sfidën e përjetshme Lushnja-Apolonia (3-1). Një sfidë me tension të jashtëzakonshëm dhe e përgatitur për të qenë e tillë. Te ultrasit e Lushnjës mbizotëroi një frymë hakmarrëse ndaj asaj humbjeje 0-2 në fazën e parë, por rivaliteti i përjetuar në 40 ndeshjet midis tyre u transformua në një shfaqje dhune, aq sa në qytet thuhej se “më mirë të mundim Apoloninë dhe të luajmë në Kategorinë e Dytë”. Me fitoren e së shtunës tashmë dy skuadrat kanë midis tyre vetëm një pikë diferencë (me shenjën plus nga Apolonia), por Lushnja tashmë ka lënë në vendin e fundit Partizanin, që humbi nga ana e tij në Shkodër me Vllazninë (2-1).
Ishte Gersi Arbëri ai që e kaloi Lushnjën në avantazh në minutën e 26-të, duke çuar në delir tifozerinë vendase, por goli i barazimit, i realizuar nga serbi i Apolonisë në të 36’, provokoi një reagim të ashpër nga ana e fansave lushnjarë. Një gur i lëshuar nga tribuna e ultrasve verdhejeshil goditi në kokë qendërmbrojtësin e Apolonisë, 21-vjeçarin Shoshi, duke e gjakosur atë. Futbollisti i Kombëtares U-21 u çua urgjentisht me autoambulancë në spitalin e Lushnjës, ndërkohë që policia ndërhyri ashpër për të vendosur rregull midis stafeve teknike dhe grupeve të lojtarëve. Gjyqtari Tanush Latifi e ndërpreu lojën për gati 7 minuta, por qetësia nuk u rivendos. Në minutën e 38-të sulmuesi brazilian i Apolonisë, Uashington Xhunior, goditi thatë me grusht kundërshtarin, duke u ndëshkuar edhe me karton të kuq e duke i lënë fierakët me dhjetë lojtarë. Në fakt, sipas asaj që deklaruan komentatorët e emisioneve radiofonike sportive (Armand Nezha i Radio Sportit), Shoshi kishte deklaruar më pas se ishte gjakosur pas përplasjes me një shokun e tij të ekipit gjatë festimeve pranë tribunës ku ishin vendosur tifozët e Apolonisë (të shumtë në numër). Në pjesën e dytë, Dorian Bubeqi, golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në sezonin 1996-1997, shënoi golin e dytë për Lushnjën, ndërsa afrikani Xhibril Sisoko firmosi fitoren 3-1 të formacionit të Vasil Bicit, duke i dhuruar tri pikë të vlefshme në luftën për mbijetesë.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 13
E shtunë, 29 nëntor
Elbasani-Flamurtari 0-0
Faza 1: 1-0,Faza 2: 0-0
Lushnja-Apolonia 3-1
Shënues: G. Arbëri, Bubeqi, Sisoko / Sreckovic
Faza 1: 0-2, Faza 2: 3-1
Vllaznia-Partizani 2-1
Shënues: Boadu, Shtubina / Bakaj
Faza 1: 2-1, Faza 2: 2-1
Tirana-Teuta 1-2
Shënues: Sefa / Vila (2)
Faza 1: 1-0, Faza 2: 1-2
E diel, 30 nëntor
Shkumbini-Dinamo (Jemini)
Faza 1: 1-3
Besa-Bylis (Peza)
Faza 1: 3-2
RENDITJA
SKUADRA PIKË
1 Vllaznia 25
2 Tirana 23
3 Teuta 20
4 Shkumbini* 19
5 Dinamo* 18
6 Elbasani 18
7 Flamurtari 17
8 Besa* 16
9 Bylis* 15
10 Apolonia 12
11 Lushnja 11
12 Partizani 8
* Një ndeshje më pak
BILANCI I SKUADRAVE
SHKUMBINI-DINAMO
Bilanci: 36 ndeshje; 7 fitore Shkumbini, 9 barazime, 20 fitore Dinamo. Golat: 23-51
BESA-BYLIS
Bilanci: 10 ndeshje; 2 fitore Besa, 3 barazime, 5 fitore Bylis. Golat: 10-14
30 Nentor 2008