E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti i ri i profesorëve të vjetër

Vështrim rreth pikturave në ekspozitën “Nëntori 11”, të çelur kohët e fundit në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë

Harallamb FANDI
Ndonëse titulli i këtij shkrimi mund të kundërshtohet nga cilido që i njeh ata, profesorët, duke thënë jo pa të drejtë se do të ishte më mirë që të mos ua përmendnim moshën, s’di se pse më pëlqen të mos tërhiqem. Ndoshta ngaqë veprat e tyre me freskinë që sjellin më bëjnë që t’i shoh të pandryshuar fizikisht, vërtet me vite përmbi supe, por të fortë, mospërfillës ndaj moshës dhe këmbëngulës në pjesëmarrjen, krahas më të rinjve në ekspozitat e njëpasnjëshme. Ekspozita e fundit, “Nëntori 11”, që padyshim ishte një sukses për organizatorët dhe për shumë artistë pjesëmarrës, besoj se nuk lejon ndarje të karakterit “të rinj” dhe “të vjetër”. Aty arti i të gjithëve është kryesisht i ri. Të vjetrit e kanë humbur moshën ngaqë me veprat që kanë sjellë i bëjnë shikuesit të mos ua venë re atë. Vizitorët e ekspozitës shikojnë punimet dhe vlerësojnë me kënaqësi gjithçka të re e të bukur që u del përpara. Diku, dikush ndalet. Sepse duket që “është ndalur” edhe i pari i dekanëve. Ai, Vilson Kilica, në tablonë e vet ka mbështetur biçikletën në një pemë dhe e mban shikuesin për disa çaste me vështrim të pashkëputur prej saj. Vepra të kujton menjëherë se ke të bësh me një mjeshtër të pikturës së raporteve të bukura të sipërfaqeve, ku vizatimi shprehës dhe ngjyra me vulë kultivimi personal nuk të lënë ta ngatërrosh emrin e autorit. Por këto atij nuk i mjaftojnë. Artisti kërkon, është gjithnjë në përpjekje për të kapur atë çka i endet para syve, të cilën na e sjell ashtu siç e ndien, të ëndërrt, duke na bërë të zhytemi në një botë ku realja e pikturuar me një konkretësi të theksuar te biçikleta mbështillet nga surealja, thuajse në të gjithë pjesën tjetër ku ngjyrat dhe format janë vënë në shërbim të shprehjes. Kjo vepër nuk e pranon një klasifikim të prerë lidhur me mënyrën e konceptimit dhe të pikturimit. Artisti jo vetëm që të jep kënaqësi estetike, por edhe të flet me një gjuhë që shpreh risi ne artin e tij. Biçikleta e pikturuar me aq dashuri kristalizohet në shikimin e vizitorit si e dalë nga ëndrra dhe të bën të mbushesh me asociacione poetike. Ndjenjat që burojnë nga e verdha, tonaliteti dhe nuanca e së cilës qëndrojnë në kufijtë ku emocionet rrezikohen të marrin kahje negative, duke u vendosur në një ansambël të përzgjedhur mjeshtërisht prej piktorit transmetojnë vetëm kënaqësi shpirtërore. Njeriu ndien se aty ndodhet patjetër diçka që kërkon t’i kujtojë se jeta është vërtet e bukur. Dhe nis të përqendrohet… Në tablo s’ka njerëz… Mos ndoshta biçikleta… e pse jo, ajo është pikturuar si të ishte një vajzë e re, me penelata që vende-vende përpiqen të ruajnë delikatesën vajzërore, me ngjyra të ngrohta që i vijnë shikimit si një kumt rinor. Pa dyshim, rinor! Ec e mendohu pastaj nëse e mërzit apo jo po ta quash të vjetër një piktor me botë e shpirt të tillë. Profesori tjetër, Ksenofon Dilo, vjen gjithashtu ndryshe në këtë ekspozitë me një tjetër shprehje të vetvetes. Jo se kësaj here veprat e paraqitura nuk të bëjnë të dallosh menjëherë dorën e tij. Ndjeshmëria e artistit për modernizimin e formës, eleganca e vizatimit dhe koloriti me burim nga shtëpitë e gurta të vendlindjes, e kanë veçuar me kohë Ksenofon Dilon si piktor të një estetizimi të përkorë e plot shije. Por, teksa ka menduar se në ekspozitë do të vihet në një rresht me studentët e tij dhe me të tjerë edhe më të rinj, në veprat e të cilëve gjen me shumicë lëng jetësor, çelësin e suksesit piktori duket se e ka kërkuar te motivi. Hurmat që ai i ka zgjedhur për t’i pikturuar, me lëngun e tyre të ëmbël do t’ia lehtësonin ndoshta punën. Veçse gjetja e një çelësi do të ishte pak për piktorin. Aq më tepër që ai s’ka krijuar një, por dy vepra që qëndrojnë aq mirë pranë duke na transmetuar një tërësi ndjesish me karakter jo vetëm pamor, por edhe muzikor. Sepse lart, te peizazhi, dega e mbushur plot hurma në kontrast me dritën që e rrethon të sjell ndërmend kapakun e një pianoforti. Nën të, ndërthurjet e shumta të degëve lënë hapësira me ajër të mbushur me ngjyra e tinguj që piktori dirigjent i ka orkestruar me finesë, ndërsa poshtë te natyra e qetë ngjyrat e tingullta të gjetheve vijnë si prej goditjeve të gishtave të pianistit mbi tastierë për të të sjellë ndjesitë e një koncerti për piano e orkestër. Dhe kur krahas këtyre vëmë re përdorimin e teknikës së pikturimit me lëngje dhe midis ngjyrave të ngrohta të pjekurisë shohim përndritjen e një të kaltre rinore, kujtohemi se piktori ia ka hapur të gjitha dyert harmonisë, ku rinia dhe pjekuria rrinë natyrshëm pranë duke emetuar ndjesi që të japin vetëm kënaqësi. Sali Shijaku pritej të vinte në ekspozitë si gjithnjë i paparashikueshëm. Sepse kanë qenë të rralla rastet kur ai s’ka ardhur si i tillë dhe ja tek vjen përsëri i beftë, disi lozonjar, si të ishte fare i ri. Në një shikim të shpejtë të veprave, gjë që ndodh rëndom nga dyndja e njerëzve në ditën e çeljes së ekspozitave, tabloja, të cilën piktori e ka tiulluar “Shamia e beqarit”, mund të duket si diçka e bërë shpejt e shpejt, sa për të mos i prishur qejfin “çunit” organizator, që s’e lë rehat por i kërkon patjetër që të sjellë një pikturë për ta paraqitur. Ndërsa vajzën e vogël, në veprën tjetër që qëndron pranë së parës, dikush mund ta shohë si një punë “nga ato që Saliu po bën zakonisht kohët e fundit”. Por kush e ka për zemër pikturën dhe piktorin, mjafton të bëjë një rikthim për t’i parë edhe një herë veprat dhe do ta ndiejë veten në një takim të ngrohtë, ku ai, i paparashikueshmi, të zgjat dorën dhe të thotë: “Jam prapë unë, Sali Shijaku”. “Shamia e beqarit” është vepër e veçantë, e freskët dhe plot dritë, ku muzikaliteti i linjave të vizatimit, tashmë tradicional në artin shqiptar, është në harmoni me kaltërimin e pasuruar me smerald e me përflakje të të verdhave, të cilat e bëjnë ajrin që ndriçon gjithë tablonë të lehtë, gati-gati të papeshë. Ashpërsia, gjithashtu e bukur e trajtimit me kolorit të fuqishëm e me forma të ngjeshura ekspresioniste, që paraqesin vajzën e vogël në tablonë tjetër që rri pranë së parës, kontrastojnë mjaft bukur me delikatesën dhe muzikalitetin e “Shamisë së beqarit”. Të tre piktorët kur kanë parë punët e njëri-tjetrit sigurisht që e kanë ndier veten mirë dhe pasi kanë menduar që secili ka diçka të re, nga e cila mund të përfitojnë të gjithë, kanë nisur të përvijojnë plane me kërkesa të tjera. Ndërsa dashamirësve të artit gjithashtu u vjen mirë teksa kujtojnë shprehjen e njohur: “Krijimtaria, para së gjithash, krijuesit i rinon”.

30 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›