E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI ashpërson akuzat për PD-PS, lajmëron protesta të fuqishme

Petrit Vasili

Tiranë, 1 nëntor, 20:46 NOA – “Kryesia e LSI ka vendosur unanimisht fillimin e një reagimi mbarëpopullor shumë të ashpër dhe të pandalshëm deri në rivendosjen e legjitimitetit të votës se lirë dhe demokracisë në vend”.

Deklarata paralajmëruese u bw sot, nga Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Petrit Vasili.

Ai tregoi edhe se Kryesia e kësaj partie, ka vendosur thirrjen e Konventës së Jashtëzakonshme të hënën në mesditë, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Vasili konsideroi se “aventurierët Rama dhe Berisha, të cilët pasi grabitën dhe plaçkitën pronën publike, ndanë parkingjet, kullat e Tiranës dhe çdo gjë që kishte vlerë në kryeqytet, duke e shndërruar Tiranën në çifligun e tyre, sot duan të vjedhin edhe votën e shqiptarëve, të fundit pasuri që ata kanë duke shndërruar vendin ne një diktature monstër me dy koka”.

”Komploti i madh kundër votës së lirë, i gatuar nga Rama dhe Berisha, - vlerësoi më tej Vasili, - ka vetëm një qëllim përjashtimin e LSI-së, njërës prej tre forcave më të mëdha politike ne Shqipëri nga procesi i administrimit dhe numërimit te votave dhe vjedhjen e tyre në tavolinë, ashtu siç bënë edhe më 3 Korrik 2005”.
Sipas Vasilit, ky komplot është sot “një rrezik shumë i madh real kundër demokracisë, e cila është goditur në zemër si dhe kundër të gjithë shqiptarëve, sepse ka vetëm një synim konsolidimin e një kaste politike mafioze me dy koka, duke u hequr të drejtën shqiptarëve të votojnë alternative të tjera politike të pastra dhe që e kanë atdheun gjënë më të shtrenjtë të tyre”.

Vasili pohoi se “ne jemi këtu për të paralajmëruar edhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar se Shqipëria gjendet në momentin më të rrezikshëm të saj në këto 18 vjet pluralizëm, se po projektohet komploti dhe vjedhja më e madhe e votës, se po instalohet diktatura fashiste e dy të papërgjegjshmeve Berisha dhe Rama dhe se komuniteti ndërkombëtar ose duhet te ndërhyje sot ose nesër do të jetë shumë vonë dhe Shqipëria do të futet në një kaos e destabilizim më të rëndë se ai i vitit 1997”.

”Jemi sot këtu për të paralajmëruar Ramën dhe Berishën, këta dy armiq të demokracisë dhe votës së lirë se asgjë nuk do të na ndalë në mbrojtjen e demokracisë, të votës së lirë të pronës dhe të drejtave të shqiptarëve”, - theksoi Vasili duke mos e kursyer gjuhën e ashpër ndaj dy partive kryesore në vend.
Ai veçoi edhe faktin se Kryesia e LSI ka vendosur unanimisht fillimin e një reagimi mbarëpopullor shumë të ashpër dhe të pandalshëm deri në rivendosjen e legjitimitetit të votës së lirë dhe demokracisë në vend.

Kurse shtoi se Kryesia ka vendosur edhe thirrjen e Konventës së Jashtëzakonshme të hënën në ora 12.00 në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

a.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›