Kolegji Zgjedhor shqyrton sot ankimimin e PS për "Fierin"
Kolegji Zgjedhor nis sot fazën e shqyrtimeve të kërkesave ankimore. Pas vendimmarrjes nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve subjektet politike kanë bërë ankimimet përkatëse në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar shqyrtim të vendimit të marrë nga institucioni menaxhues i zgjedhjeve. Faza e dytë e procesit ankimor do të nisë me kërkesën e Partisë Socialiste për kutinë me numër 3052 të KZAZ 19 në Qarkun e Fierit, e cila ka si problematikë 439 fletë votimi që nga KQZ u gjetën me një vulë të vetme, ndërsa ligji parashikon që çdo fletë votimi duhet të ketë dy vula. Vendimi i Komisionit Qendror shpalli të vlefshme rezultatin e kësaj kutie votimi, ku Partia Demokratike fitoi bindshëm përballë Partisë Socialiste. Selia rozë pretendon shpalljen të pavlefshme të rezultatit të kësaj kutie, duke thelluar në këtë mënyrë diferencën e votave mes kësaj partie dhe koalicionit të djathtë. Nesër, Kolegji do të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të PS-së për Beratin, për të vijuar në datën 24 korrik me kërkesat ankimore të PD dhe PDI, po për Fierin. Për të njëjtin qark ka dhe dy kërkesa ankimore të tjera, një nga Partia Demokratike, e cila synon shpalljen të pavlefshme të tri kutive: 3006 që ka 315 fletë votimi, të cilave u mungon logoja e KQZ dhe e Republikës së Shqipërisë dhe dy kutive të tjera, 3185 dhe 3188. Rezultati i këtyre dy kutive u përfshi direkt në tabelën përfundimtare të këtij qarku. Sakaq, Partia Socialiste ka bërë ankimimet në tri qarqe të tjera, për Beratin, Tiranën dhe Shkodrën. Sa i përket Beratit, Partia Socialiste ka ankimuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili refuzoi të bënte rinumërimin e votave në tre KZAZ-të e këtij qarku, si dhe rivlerësimin e rreth 3 mijë votave që janë shpallur të pavlefshme. Gjatë shqyrtimit të kësaj kërkese ankimore, KQZ hodhi poshtë pretendimet dhe deklaroi se librat e protokollit nuk tregojnë asnjë gjurmë të kontestimeve të komisionerëve në rast se kishte parregullsi. Partia Socialiste ka ankimuar edhe vendimin e Komisionit Qendror për Qarkun e Tiranës. Partia kryesore e së majtës kërkoi rinumërim dhe rivlerësim në disa qendra votimi të ndryshme për gjashtë Komisionale Zonale të Administrimit të Votave. Edhe kjo kërkesë u rrëzua me të njëjtën arsye për shkak të mungesës së provave, ndërsa dy anëtarë të KQZ, në të dyja rastet, kërkuan që t‘u jepej i gjithë materiali zgjedhor i këtyre dy qarqeve për t‘i parë nëse kishte aty prova për pretendimet e subjekteve që ankimonin. Sa i përket Qarkut të Shkodrës ka dy kërkesa ankimore PS dhe PD. Partia Socialiste kërkoi rivlerësim dhe rinumërim të votave në KZAZ e këtij qarku ndërsa Partia Demokratike kërkoi që të hapeshin dy kuti ende të pahapura në KZAZ 41. Me vendim të Komisionit Qendror u hapën të dyja kutitë, por vetëm një prej tyre u përfshi në rezultat, ndërsa kutia tjetër meqë u vlerësua si e parregullt nuk u përfshi në tabelë. Ekziston dhe një tjetër kërkesë ankimore në Kolegj, ajo e Partisë Konservatore për Qarkun e Durrësit. Pas vendimeve që do të marrë Kolegji Zgjedhor do të mbyllet procesi zgjedhor dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i hapet rruga që të shpallë rezultatin përfundimtar të parlamentareve të 28 qershorit. Subjektet politike që kanë ankimuar janë shprehur se do të pranojnë vendimet e kësaj gjykate. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka detyrimin kushtetues që të zbatojë vendimet e Kolegjit Zgjedhor si instanca më e lartë e shqyrtimit të ankimimeve. Anëtarët e Kolegjit janë përcaktuar përmes një formule shorti dhe mendohet se arrijnë të sigurojnë paanshmërinë në trajtimin e ankimimeve që ju mbërrijnë. Aktualisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar ndarjen e mandateve në mënyrë paraprake. Koalicioni i kryesuar nga Partia Socialiste ka arritur të grumbullojë 66 mandate deputetësh; koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike ka marrë 70 mandate të tilla, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Ilir Meta arriti të marrë vetëm katër mandate deputetësh. Nëse kolegji nuk do të ndryshojë diçka me vendimmarrjen e tij, ky ka gjasa të jetë edhe rezultati përfundimtar i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.