E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në mbledhjen e KQZ, rrëzohet ankimimi i PDI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi dje kërkesën ankimore të Partisë Drejtësi dhe Integrim, për shkak të mungesës së kuorimit për të pranuar që zgjedhjet në katër qendra votimi të shpallen të pavlefshme. Shumica në KQZ shfaqi dje një tjetër qëndrim sa i përket dy prej kutive të KZAZ 20 në këtë qark, 3185 dhe 3188 duke kërkuar shpalljen të pavlefshme. Me një vendimmarrje të tillë rihapej çështja e mandatit të fundit në Fier. Rezultati i dy kutive është përfshirë automatikisht në tabelën përfundimtare pas vendimit për hapjen e kutive dy javë më parë. Rezultati mbeti i pandryshueshëm për shkak se një vendimmarrje e tillë, pra për pavlefshmëri, kërkonte pesë vota pro dhe kërkesa arriti të marrë vetëm katër. Deklarata e Arben Ristanit për të shpallur të pavlefshme dy kutitë ngjalli reagimin e ashpër të nënkryetares së KQZ-së, Dëshira Subashi, e cila vendosi që t‘i referohej nenit 160, pika 4, i cili parashikon konsultimin e KQZ me KZAZ përkatëse, për vendimmarrjen që u takon këtyre dy qendrave të votimit.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ristani, bëri një rezyme të fatit të këtyre dy kutive dhe vlerësoi se ka pasur shkelje të rënda nga KZAZ përkatëse.

"Vendimi i KZAZ për të mos i hapur tregon se aty ligji është shkelur rëndë dhe mendoj se zgjedhjet në këto dy qendra të jenë të pavlefshme për shkak të shkeljeve që ka procesi", tha Ristani. Ndërsa për dy kutitë e tjera, 3196 dhe 3006 Ristani u shpreh se nuk mund të pranohen, pasi nuk ka prova. Nënkryetarja reagoi duke kërkuar konsultime me KZAZ. "Të thërrasim KZAZ 20 dhe të pyesim se çfarë ka ndodhur rreth situatës aty, si kanë arritur në atë vendimmarrje", u shpreh Subashi. Kërkesa e nënkryetares u rrëzua me katër vota kundër dhe tre pro saj, ndërsa votimi për kërkesën e Partisë Drejtësi dhe Integrim sa i përket kutive me numër 3185 dhe 3188 u rrëzua për shkak se nuk mori kuorumin e nevojshëm. Kërkesa për shpallje të pavlefshme të kutisë 3196 u rrëzua me pesë vota kundër saj dhe dy pro, ndërsa 3006 e ankimuar më parë edhe nga PD u rrëzua me katër vota kundër pranimit të saj dhe tre vota pro. Kërkesa e PDI e paraqitur nga përfaqësuesi juridik i saj u mbështet nga Partia Demokratike dhe u kundërshtua nga Partia Socialiste. Përfaqësuesi i PD-së, Niazi Kosovrasti, deklaroi se kërkesa është e bazuar dhe duhej marrë parasysh nga KQZ. Ndërsa përfaqësuesi juridik i PS-së, Genci Gjonçaj, iu referua procedurave të pranimit të kësaj kërkese nga ana e këtij institucioni. Ai tha se kërkesa është jashtë afatit referuar vendimit të KZAZ të marrë në fillim të muajit korrik. Kjo deklaratë u kundërshtua nga kreu i KQZ-së, Arben Ristani. Ai tha se ka dy vendime të KQZ, një që miraton tabelën përfundimtare pa përfshirë 9 kutitë dhe një tjetër i marrë më 13 korrik, duke i përfshirë edhe këto kuti. Sipas Ristanit, PDI ka ankimuar vendimin e datës 13 korrik, ndaj kërkesa është brenda afatit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›