LSI çel fushatën. Meta: Votoni alternativën tonë
Lëvizja Socialiste për Integrim çeli dje zyrtarisht fushatën elektorale në kryeqytet. Numri dy i kësaj partie ishte i pari që mori fjalën dhe deklaroi se kjo forcë politike ka treguar që është çdo ditë dhe më shumë në rritje. Duke dëshmuar, sipas tij, vlera të larta intelektuale dhe potenciale politike, Xhufi i ka kujtuar Kryeministrit Sali Berisha se ka ikur koha e tij e Gërdecit dhe e çmendurive, dhe sot është koha për veprim. LSI-ja ka programin dhe ekipin më të mirë, është shprehur Xhufi dhe kjo tashmë është e qartë për të gjithë. Më pas ishte Dritan Prifti, i cili bëri publik para kryeqytetasve programin ekomomik të LSI-së për këto zgjedhje. Hartuesit e programit të LSI-së e kanë shpjeguar këtë dokument në pika të veçanta, për t‘ia lënë fjalën kryetarit Ilir Meta, i cili ka bërë përmbledhjen e tij. Gjatë fjalës së tij, ish-kryeministri falënderoi të gjithë njerëzit që gjatë këtyre viteve kanë mbështetur dhe përkrahur LSI-në. Meta falënderoi kolegët dhe bashkëpunëtorët, ekipin e tij, i cili ka punuar për programin e zgjedhjeve të 28 qershorit, si dhe ekspertët vendas dhe të huaj që kanë bashkëpunuar me LSI-në. Sipas Metës, programi i hartuar nga LSI-ja është programi më i saktë dhe i plotë, program i cili është garancia për integritet të vendit. Gjithashtu Meta falënderoi dhe kandidatët e LSI-së, për të cilët shprehu vlerësime të larta dhe besimin se kjo forcë politike do të fitojë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Ne, tha Meta, shkojmë në këto zgjedhje për të garantuar 100 mijë vende të reja e të qëndrueshme pune. "Do t‘i fitojmë këto zgjedhje për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve nga ata që, në kundërshtim me vullnetin dhe referendumin e popullit shqiptar, e ndryshuan natën Kushtetutën për interesa personale dhe korruptive", u shpreh ai. Ne, tha Meta, punojmë dhe luftojmë për këto zgjedhje, për t‘u dhënë shpresë të gjithë shqiptarëve për një jetë më të mirë. Më pas Meta është ndalur te vlerat që mbartin bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, të cilët i janë bashkuar këtij ekipi për t‘i shërbyer Shqipërisë, duke lënë vendet e tjera të Perëndimit. Kryetari i LSI-së konstatoi se "po bashkohemi të gjithë bashkë, për të mos e lënë Shqipërinë në duart e atyre që e çuan drejt shkatërrimit gjatë këtyre viteve". LSI-ja, tha Meta, vjen në këto zgjedhje si garancia për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike. "Kemi një program të qartë, kemi një plan veprimi konkret dhe realisht të prekshëm nga të gjithë, ku gjen zgjidhje bujqësia, arsimi, shëndetësia, kultura, punësimi, rinia, ulja e varfërisë, si dhe integrimi i vendit", premtoi ai. Sakaq, Meta theksoi se punësimi do të jetë prioriteti ynë kryesor, sepse kjo do i shërbejë uljes së varfërisë, duke e shporrur njëherë e mirë nga familjet shqiptare. Më pas, kreu i LSI-së ju ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që në zgjedhjet e 28 qershorit të votojnë alternativën e LSI-së si më e mira dhe më e prekshmja për të gjithë shqiptarët. Te ky plan veprimi që ne kemi hartuar sot dhe po jua paraqesim qytetarëve, u shpreh Meta, gjen veten çdo shqiptar dhe ky ishte qëllimi i hartimit të tij.