E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama prezanton kandidatët e kryeqytetit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi dje në një prej lagjeve të Tiranës, në Kombinat, ekipin prej 32 kandidatësh të kësaj partie për kryeqytetin. Gjatë këtij takimi, Rama bëri thirrje për t‘u bashkuar si një rrugë për të ndryshuar Shqipërinë pas 28 qershorit. Ashtu si në prezantimet e qarqeve të tjera, Rama në Tiranë shpalli objektivin e fitores së 18 mandateve në Parlament. Ai kërkoi votën për kandidatët e PS-së, duke i vlerësuar ato si mjaft cilësore e duke kërkuar bashkimin kundër partive të dështuara si ajo në pushtet. Njëkohësisht ai premtoi ndryshim cilësor të jetesës së shqiptarëve përmes programit të Partisë Socialiste. Kryetari i Partisë Socialiste prezantoi njëkohësisht edhe kandidatët e Qarkut të Beratit. Në një takim në Berat dhe Kuçovë, kreu i PS-së, Edi Rama, tha se PS vjen në këtë garë elektorale me një program të ri, me ide dhe vullnet të ri për të ndryshuar Shqipërinë. "Sfida kryesore nuk është mundja e kundërshtarit politik, por ngritja e Shqipërisë që të gjithë e kemi ëndërruar, por nuk e shohim të realizuar", tha Rama. Ai vuri në dukje misionin për t‘u ndarë nga Shqipëria e papunësisë dhe e varfërisë e për të ndërtuar Shqipërinë e punës, Shqipërinë e shkollave evropiane, Shqipërinë ku sipërmarrja nuk denigrohet, por stimulohet në aktivitetin e saj. "Unë këtu kam ardhur me një program që e kemi shkruar së bashku. Me një skuadër që do të angazhohet dhe do ta realizojë këtë program që kemi shkruar së bashku dhe me gjithë fuqinë e shpirtit dhe mendjes time dhe këtyre njerëzve për t‘u dhënë mbrojtje të varfërve, për t‘u dhënë krah të papunëve, për t‘u dhënë shpresë të rejave dhe të rinjve, për të ndaluar masakrën me trashëgiminë kulturore të kësaj zone, me pronat dhe tokën bujqësore, me natyrën e mrekullueshme të gjithë këtij qarku", theksoi Rama. Ai shtoi se "unë nuk vij në këtë garë nga urrejtja dhe nga instinkti luftarak për ta gjunjëzuar kundërshtarin, as nga nevoja për të ushtruar pushtet mbi të tjerët, apo nga synimi për t‘u zgjatur më shumë duke hipur në një karrige më të lartë, por vij në këtë garë nga dashuria për vendin tim". Kryesocialisti bëri thirrje për një bashkim të ri qytetarësh përballë një pazari të vjetër kryetarësh. "Besojuni këtyre fjalëve që burojnë nga zemra dhe që ua them duke parë si dritën e diellit historinë e jashtëzakonshme, që ne të gjithë së bashku mund ta shkruajmë pas 28 qershorit, tha ai. Vota e 28 qershorit është e madhe saç është ëndrra jonë për të ndryshuar Shqipërinë, duke u ndarë me këto 18 vite pa mbarim premtimesh, dështimesh e zhgënjimesh", nënvizoi Rama. Ai vuri në dukje se vota e shqiptarëve është e jashtëzakonshme, saç është sfida jonë përballë varfërisë, papunësisë, korrupsionit, injorancës dhe dhunës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›