E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI del kundër qeverisë për Përmbarimin

Lëvizja Socialiste për Integrim kontestoi dje propozimin e qeverisë për privatizimin e Shërbimit të Përmbarimit. "Jemi këtu për të denoncuar një dështim dhe agresion të radhës që Kryeministri Berisha dhe shëmbëlltyrat e tij kanë ndërmarrë kundrejt sistemit të drejtësisë", theksoi Brizida Gjikondi. Sipas saj, më konkretisht, ministri i Drejtësisë, së fundmi, në reformat e tij agresive, ka përfshirë dhe sistemin e Shërbimit Përmbarimor. "Ai ka konceptuar dhe depozituar pranë qeverisë shqiptare një projektligj me anë të të cilit kërkon që Shërbimi Përmbarimor në Shqipëri të shndërrohet në një shërbim privat", vijoi ajo. LSI vlerëson se ky projektligj rivërteton dështimin total të Kryeministrit Berisha, jo vetëm në lidhje me premtimet që ai dha në 2005-ën, se brenda 2 viteve të qeverisjes së tij do të ekzekutoheshin të gjitha vendimet gjyqësore të formës së prerë. Njëkohësisht, shtoi Gjikondi, kjo dëshmon edhe ambiciet e tij monopolizuese me një hallkë tjetër decizive të sistemit gjyqësor. Partia e ish-kryeministrit Ilir Meta konstaton se kreu i shumicës qeverisëse, Sali Berisha, duhet të pranojë botërisht se në sirtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit në Ministrinë e Drejtësisë, janë me mijëra vendime gjyqësore të formës së prerë të pa ekzekutuara për faj të politikave të tij kaotike dhe jo vizionare në lidhje me drejtësinë. "Kryeministri Berisha duhet të pranojë para të gjithë shtetasve të tij se pikërisht institucionet shtetërore në varësi të tij janë ato që thyejnë rekordin në moszbatimin e vendimeve të gjykatave shqiptare", këmbënguli Gjikondi. Teksa nënvizoi se Berisha s‘mund të rëndojë në mënyrë të tejskajshme varfërinë e shqiptarëve, duke privatizuar dhe monopolizuar një shërbim ligjor që është kryekëput në varësi dhe përgjegjësi të tij. Drejtuesja e LSI i tërhoqi vëmendjen ministrit të Drejtësisë që, përpara se të eksperimentojë me drejtësinë shqiptare vizionin e tij Don Kishotesk, të konsultohet me grupet e interesit, të njohë dhe zbatojë kodet shqiptare dhe konventat evropiane të të drejtave të njeriut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›