Strategjia anti-Berisha, opozita e pavendosur
Të majtët nuk duken të qartë, nëse duhet të ndërmarrin apo jo një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Ata vijojnë të enden mes dëshirës për të larguar kreun e demokratëve para zgjedhjeve të ardhshme dhe pamundësisë për të vepruar. I pari që e lëshoi këtë ide politike ishte kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, në takimin e kryer në hotel "Sheraton" disa javë më parë. Më pas, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, në disa prononcime publike, e ka mbështetur këtë ide, duke garantuar votat e partisë së tij. Sakaq, dje kreu i socialistëve, Edi Rama, deklaroi se kërkesa për dorëheqjen e Kryeministrit është e përsëritur në të gjitha ato raste, kur konflikti mes Kryeministrit të vendit dhe shqiptarëve e shqiptareve del në pah. Sipas tij, Kryeministri tregon me fjalë e me vepra se është tërësisht i rrëshqitur në drejtim të paditur dhe se me papërgjegjshmërinë e tij mund të krijojë kosto shtesë. "Dua të ritheksoj, se nuk kemi asnjë arsye të hyjmë në politikën e vjetër të një konflikti të dëmshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe të përdorim mekanizma që nuk çojnë as gjëkundi, përveçse në rindryshimin e kësaj qeverie që ka rënë në sytë e shqiptarëve", tha Rama, duke iu përgjigjur interesit të medias për mocionin. Kreu i PS-së u shpreh se është për të dëshmuar me forcë nevojën e Shqipërisë, shqiptarëve e shqiptareve një politikë të re qeverisëse. "Jemi praktikisht në fushatë elektorale, jemi në brendi të kapitullit të fundit të kësaj keqqeverisjeje, jemi praktikisht në rrugën e ballafaqimit final mes forcave të së shkuarës dhe forcave të së ardhmes", insistoi Rama. Dhe në këtë rrugë, shtoi ai, nuk na falet dhe nuk na lejohet të hyjmë në zigzaget që thjesht dhe vetëm do të ishin shkëputje e vëmendjes së njerëzve nga problemet e rënda dhe nga shfokusimi i figurës që mishëron në tërë përgjegjësinë për këtë gjë, që është Sali Berisha, Kryeministri i Shqipërisë. "Në demokraci kërkesa për dorëheqje për një Kryeministër që gjendet sot në këtë pozitë kaq të rëndë dhe kaq të papranueshme në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët, është një kërkesë që buron nga sensi etik", këmbënguli Rama. Nga pikëpamja e realizimit institucional të një lëvizjeje, tha kreu i opozitës, kërkohen mekanizmat demokratikë të votës dhe mekanizimi demokratik i sigurt për ta analizuar këtë është vota e shqiptarëve e shqiptareve. "Deri atë ditë ne do të vazhdojmë të tregojmë vendosmëri dhe vullnet për të ndërtuar alternativën tonë, duke nxjerrë në dritë qoftë edhe faktet për të cilat Sali Berisha ka humbur të drejtën morale të qeverisë shqiptare", u shpreh Rama.