E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëvizja G99: T‘i jepet fund debatit për "spiunët"

Lëvizja G99 reagoi dje publikisht për çështjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Olta Xhaçka tha se janë bërë tashmë muaj që politika shqiptare shpenzon shumë kohë e energji duke u marrë me diskutime shterpë për çështjen e dosjeve të Sigurimit, në mënyrë hipokrite e të paprinciptë. "Çështja e dosjeve po përdoret si një instrument për të krijuar tymnaja e për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale të vendit, nga dështimet dhe nga skandalet ku kjo qeveri është përfshirë, që nga Gërdeci e deri te bëmat e sekserit serbo-boshnjak të Kryeministrit Sali Berisha, përfaqësuesit më të denjë të së kaluarës së dhimbshme komuniste", nënvizoi ajo. G99 beson se hapja e dosjeve për politikanët dhe zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar është një detyrim moral i klasës sonë politike, por thekson se është e papranueshme, e madje e rrezikshme që kjo të përdoret për të përballur nevojat politike të ditës. Në emër të të gjithë shqiptarëve që nuk i kanë kurrfarë borxhi së kaluarës, G99 i bën thirrje mazhorancës që t‘i japë zgjidhje njëherë e mirë në mënyrë transparente e konsensuale kësaj çështjeje, pas së cilës Kryeministri i vendit kapet si i mbyturi pas kashtës sa herë i dalin në shesh aferat e turpshme ku janë përfshirë ai vetë, të afërmit e familjarët e tij. "Ju bëjmë thirrje atyre t‘i japin fund kësaj situate, duke na çliruar ne dhe veten nga barra e rëndë e së kaluarës", theksoi Xhaçka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›