E Diel, 1 Nëntor 2026

“LSI, forcë e tretë politike - potenciali i saj elektoral, në rritje”

30-07-2011 / Gazeta 55

Luan Rama

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama u shpreh dje në analizën zgjedhore të 8 majit se LSI arriti synimet e saj, duke u konfirmuar forcë e tretë politike. Sipas tij, LSI nis tashmë një etapë të re të veprimit të saj politik, me qëllim përgatitjen e terrenit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2013-ës.
“Vijmë natyrshëm në këtë analizë të punës së bërë prej të gjitha strukturave të LSI-së dhe në të gjitha nivelet e përfaqësimit të saj në kuadër të zgjedhjeve të 8 majit, jo vetëm me përgjegjësinë dhe seriozitetin e një force politike të konsoliduar prej raporteve ndërvepruese të ndërtuara me elektoratin, por edhe me vizionin e qartë për të çelur prej këtu një etape të re të veprimit tonë politik dhe elektoral, të konturuar në të ardhmen e afërt, me horizont të mbërritjes zgjedhjet e përgjithshme politike të vitit 2013”, u shpreh Rama.
Duke folur për suksesin elektoral të zgjedhjeve vendore të 8 majit, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama vlerësoi reformimin e strukturave të kësaj force politike, kapaciteti i të cilave iu përgjigj me rezultate konkrete në elektorat me 120 mijë vota në rang kombëtar si dhe me 550 këshilltarë të njësive vendore.
“E gjithë përgatitja e strukturave tona para zgjedhjeve të 8 majit dhe puna e bërë deri në certifikimin e rezultatit që e rendit LSI-në të tretën në garën e subjekteve politike me një rritje të ndjeshme krahasuar me votat e marra në zgjedhjet pararendëse, na vjen në këtë analizë si një përvojë e vyer për të ndërtuar bazamentin e veprimit tonë vijues mbi bazën e kredos tonë politike që LSI është gjithnjë në sfidë me të nesërmen. Natyrisht që nuk mund të mos vlerësoj dhe përgëzoj drejtuesit dhe veprimtarët e LSI-së në të gjithë vendin për punën e bërë, për angazhimin, përkushtimin dhe devotshmërinë e shfaqur e konkretizuar e gjitha kjo me 120 mijë vota në të gjithë vendin, me rreth 550 këshilltarë në të gjitha nivelet ku është konkurruar si subjekt, nga të cilët deri në këtë fazë kur ende nuk ka përfunduar në të gjithë vendin konstituimi i këshillave, 18 prej tyre janë zgjedhur kryetarë këshillash, 19 nënkryetarë, 8 sekretarë dhe 41 anëtarë të këshillave të qarqeve, pa përfshirë këtu 23 kryetarë komunash dhe bashkish, çka është ndërkaq edhe përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që shpresonin dhe u investuan që LSI të dështonte. Realisht janë rezultate shumë të mira, janë tregues i një pune serioze, është një mbështetje popullore që konfirmon drejtësinë e qëndrimeve tona politike dhe në shërbim të qytetarëve dhe interesave të vendit”, tha Rama.
Ai theksoi më tej se nga zgjedhjet e 8 majit, LSI doli me rezultat të dyfishuar në thuajse të gjitha njësitë vendore. Dhe jo rastësisht edhe në bashkinë e Tiranës, ku falë një organizimi të detajuar dhe një përkushtimi shembullor u bë e mundur jo vetëm qe rritja të jetë e konsoliduar, por që edhe kontributi i LSI-së në fitoren e koalicionit të jetë përcaktues.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›