E Diel, 1 Nëntor 2026

KZAZ nr. 53 i përgjigjet Topit: Ja procesverbali që fakton votën tuaj të hedhur në kutinë e gabuar

30-07-2011 / Gazeta 55

Kryetari i KZAZ-së nr.53, që i përket njësisë bashkiake nr.9 në kryeqytet, ka bërë publik për herë të parë procesverbalin e firmosur nga grupet e numërimit i cili vërteton se Presidenti ka qenë i vetmi person që ka votuar gabimisht në kutinë me nr. 19 68


Tendencat e Presidentit të Republikës për të fshehur votën e hedhur prej tij në 8 maj, u shndërrua në akuza për grupet dhe institucionet e administrimit të zgjedhjeve, kur stafi i Presidentit në një deklaratë të tij, e quajti këtë si shpifje për kundërshtarët politik, duke nënvizuar se çdo tentativë për interpretimin e votës nuk lidhet me atë mënyrë votimi, por me përgjegjësinë ekzekutive të administrimit partiak të votave si dhe me skenaret e parapërgatitur nga autorët e këtyre inskenimeve. Por komisioni zonal të administrimit të zgjedhjeve në njësinë bashkiake nr.9 në kryeqytet, ku votoi presidenti Topi, ka reaguar duke thënë se këto sulme të Presidentit të Republikës ndaj procesit të administrimit të votës, janë të padrejta dhe amorale. Berti Çoku, kryetari i KZAZ-së nr.53 në shkollën “Servete Maçi” në Tiranë, deklaron se ky komision e ka administruar në mënyrë korrekte, ligjore dhe konsensuale çdo votë të qytetarëve dhe sjell fakte se në kutinë nr.19 68 ku ka votuar Bamir Topi, ka vetëm një votë të hedhur gabimisht dhe ajo është votë e vlefshme për Edi Ramën. “Procesverbali i qendrës 1968 ku voton Presidenti Topi, në kutinë për kryetar minibashkie është gjetur vetëm një fletë votimi, e cila i përket kryetarit të bashkisë dhe kjo, votë e vlefshme për Edi Ramën. Ky është procesverbali i firmosur më datën 17 maj, nga anëtarët e grupeve të numërimit dhe përpara se të mësonim përmes medias se presidenti Topi kishte votuar në kutinë e gabuar”- u shpreh kreu i KZAZ-së nr.53 në Tiranë, Berti Çoku. Pamjet filmike treguan se Presidenti e hodhi votën në kutinë e gabuar. Numërimi dhe vlerësimi i votave në kutinë ku ai votoi, atë me numër 19 68, siç faktohet edhe në procesverbalin e KZAZ-së zbuluan se ishte i vetmi person që kishte gabuar kutinë dhe vota e tij kishte shkuar për Edi Ramën. Ndaj, komisionerët e KZAZ-së nr.53, i kërkojnë Presidentit të ndërpresë sulmet ndaj tyre dhe t’i dalë zot votës së tij. “Zoti President, vota juaj për Edi Ramën është shprehje e vullnetit tuaj, por përpjekja juaj për të fshehur të vërtetën e votës tuaj, duke akuzuar njerëz të ligjit për interesa personale, është shumë e rëndë. Ndaj, ju zoti Presidenti, i dilni zot votës tuaj dhe mos përsërisni akuzat e Edi Ramës ndaj njerëzve të ligjit sepse kështu komprometoni shumë rëndë pozicionin tuaj si kryetar i shtetit. Votat e qytetarëve dhe e juaja zoti President, nga ana jonë janë administruar në mënyrë korrekte dhe ligjore”- tha ai. Në këtë reagim komisioni zonal i administrimit të zgjedhjeve, e quan çdo interpretim tjetër në lidhje me votën e Presidentit që prek procesin e administrimit të votës, si meskinitet dhe veprim i padenjë për pozicionin e një presidenti. Presidenti Bamir Topi reagoi dy ditë më parë, duke deklaruar se “çdo tentative për interpretimin e votës, nuk lidhet me atë mënyrë votimi, por me përgjegjësinë ekskluzive të administrimit partiak të votave dhe me skenarët e parapërgatitur nga autoret e këtyre inskenimeve”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›