E Hënë, 2 Nëntor 2026

LSI fton shqiptarët në votime

09/05/2005  "Nuk kemi nevojë as për ata që na kujtojnë ´97-ën, dhe as për ata që prodhuan këtë vit"

Meta: "Mospjesëmarrja në votime është kontribut, për këtë politikë të papërgjegjshme"

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka kërkuar prej shqiptarëve pjesëmarrje sa më të lartë në votime. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të arrihet në zgjedhjen e mazhorancës së duhur për të qeverisur vendin. Nga ana tjetër, Meta ka bërë thirrje që shqiptarët të mos votojnë PS-në dhe PD-në, pasi sipas tij, këto dy forca kanë sjellë vetëm hapa prapa për Shqipërinë. Ndërsa në lidhje me strategjinë që po ndjek PS kundër PD-së, duke rikujtuar vitin tragjik 1997, Meta tha se vendi nuk ka nevojë as për ata që rikujtojnë këtë vit, dhe as për ata që e kanë krijuar.

Reagimi

Sipas Ilir Metës, ata që kanë prodhuar vitin 1997, duhet të largohen nga politika. "Nuk kemi nevojë as për ata që na kujtojnë ´97-ën dhe që duan të maten me vitin më të zi të tranzicionit shqiptar dhe, nuk kemi nevojë as për ata që prodhuan vitin ´97 dhe që duan të nusërojnë në pleqëri", tha Meta. Në këtë mënyrë, ai ka qëndruar me idenë se një forcë e re politike në Shqipëri, do të sjellë garanci për zhvillimin ekonomik dhe për integrimin në strukturat euroatlantike. Por për këtë, kreu i LSI-së ka kërkuar pjesëmarrje sa më të madhe të votuesve. "Mospjesëmarrja në votime është një kontribut, që kjo politikë e papërgjegjshme dhe e pashpirt, të vazhdojë t'ia ngulë thikën dhe më thellë në palcë shqiptarëve", tha Meta. Duket se më këtë deklaratë, LSI ka hedhur poshtë të gjitha mundësitë e rikthimit në strukturat e Partisë Socialiste.

Qëndrimi

Në fjalën e tij, Meta ka theksuar nivelin e korrupsionit në administratë. Madje, faktor shqetësues ai ka parë korrupsionit në stafin akademik të Shqipërisë. Një fenomen i tillë, sipas Metës, do të sjellë përgatitjen e studentëve të paaftë si dhe afrimin e personave me kapacitete të ulëta. Ndaj, LSI shprehet se lufta ndaj korrupsionit dhe arsimi, do të jenë në prioritetet e saj, në rast se do të vijë në pushtet. Po dje, të rinjtë e LSI-së kanë zgjedhur kryetarin e tyre. Këtë forum, tashmë do ta drejtojë një femër, e cila ka fituar nga votimi që kanë bërë dje të rinjtë. Erisa Xhixho ka marrë mbështetjen e shumicës së LRI-së.

PS rinis takimet me elektoratin në rrethe

Krerët e Partisë Socialiste, do të nisin këtë javë takimet me elektoratin në degë. Gjatë takimeve, do të kërkohet mbështetja e kandidaturave të zgjedhura prej Kongresit të para pak ditëve. Ndërsa është theksuar se zyrtarisht, emrat do të bëhen publikë vetëm pasi demokratët të kenë zbardhur konkurentët e tyre. Megjithatë, anëtarët e Kryesisë së PS-së, do të zhvillojnë takime në degët në rrethe, deri në hapjen zyrtare të fushatës elektorale. Pas datës 3 qershor, dhe anëtarët e kryesisë do të nisin takimet me elektoratin e tyre duke nisur garën zgjedhore. Ndërsa është bërë e ditur se këtë javë, do të rimblidhet kryesia socialiste, për të përcaktuar rendin e punës në prag të fushatës elektorale. Nga ana tjetër, është bërë e ditur se strukturat e PS-së kanë bërë gati formularët që do ti dorëzohen Komisioneve Zgjedhore Zonale, ku do të pasqyrohen të dhënat mbi kandidatët për deputet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›