E Diel, 1 Nëntor 2026

Ora Diellore, falje namazi në 80 metra lartësi

PROJEKTI/ Nga pesë studiot që vazhdojnë të jenë në garë, interesant është projekti i paraqitur nga studio angleze

Myftiu i qytetit të Durrësit e ka përshëndetur projektin që, sipas tij, do të tregojë për tolerancën fetare në Shqipëri

DURRËS - Myftiu i qytetit të Durrësit, Ilir Vokshi, nuk e kundërshton idenë e ngritjes së një Ore Diellore në qendër të qytetit, por deklaron se do të kërkojë që në të të vendoset një altoparlant ku të lejohet falja e një vakti namazi. Ai tha se nuk është shqetësues për komunitetin fetar ndërtimi i një Ore Diellore në qendër të Durrësit dhe se ajo nuk i bën “karshillëk” minaresë së xhamisë në afërsi të së cilës ajo do të ngrihet. “Përkundrazi, theksoi ai, -kjo do t’i shërbejë forcimit të tolerancës fetare për të cilën ne shqiptarëtnjihemi në të gjithë botën”. Këtë deklaratë myftiu i Durrësit, Ilir Vokshi, e dha gjatë punimeve të fazës përmbledhëse të konkursit ndërkombëtar për sheshin “Iliria” në të cilin nga 36 studio arkitekturore pjesëmarrëse, tashmë kanë mbetur në përzgjedhjen përfundimtare vetëm pesë. Një studio angleze ka paraqitur si variant konkurues për këtë shesh, ndërtimin e një Ore të madhe Diellore e cila, sipas specialistëve, do të jetë nga më të mëdhatë në botë, pasi do të ketë një lartësi mbi 80 metra. Inxhinieri Petraq Dado, gjatë diskutimit të projekteve, kërkoi hollësi më të mëdha për variantin anglez, duke u shprehur se duhet të dijë se si do të integrohet artistikisht me qendrën kjo vepër dhe se si mendojnë per implementimin e elementeve të traditës që janë ekzistuese në qendër të sheshit “Iliria”. Inxhinieri Thoma Papa i studios projektuese tha se në projekt është xhamia ajo që dominon qendrën, ashtu edhe shëtitoren e Durrësit. “Për ne është shumë e rëndësishme përfshirja e xhamisë në projekt, tha Papa. Hija e parë që bie në mesditë, është hija që bie pikërisht mbi minaren e xhamisë”,- u shpreh ai. Myftiu i Durrësit, Ilir Vokshi, nga ana e vet deklaroi se projekti nuk i bën dëm minaresë, megjithëse minareja është rreth 40 m e lartë, duke përfshirë edhe bazën e saj, ndërsa lartësia e orës në projekt është rreth 80 metra. Ai tha për gazetën “Shekulli” se Ora Diellore është realisht simbol i lindjes nga edhe e ka prejardhjen feja myslimane dhe, si e tillë, pjesëtarët e komunitetit mysliman nuk e kundërshtojnë atë. “Por,- tha ai,-ne do të kërkojmë që të vendosim një altoparlant për faljen e një vakti namazi në majën e kësaj ore interesante që thuhet se do të jetë edhe ora më e lartë në botë. Kjo,- u shpreh myftiu i Durrësit, -do të jetë edhe një tregues i madh i tolerancës fetare që ekziston tek ne”. Për qendrën e Durrësit tashmë fillon faza e dytë e përzgjedhjes së studios me projektin fitues, fazë e cila do të finalizohet në janar 2009. Nëse do të fitojë varianti i ndërtimit të Orës Diellore, interesant do të jetë fakti hipotetik, sikur edhe komunitetet e tjera fetare që bashkëjetojnë në Durrës të kërkonin që të vendosnin këmbanat e tyre për ndonjë rast rituali…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›