Shqipëria vazhdon të furnizojë me energji Kosovën
TROPOJË - Shqipëria vazhdon t’i japë energji elektrike Kosovës, megjithëse periudhat e vjeshtës vitet e fundit nuk kanë qenë aspak të favorshme për Koorporatën Elektroenergjitike Shqiptare. Burime nga salla e komandës e HEC-it Fierzë bëjnë të ditur se eksportin e energjisë elektrike në Kosovë e favorizon situata e kënaqshme hidrike e baseneve në kaskadën e lumit Drin. Të njëjtat burime sqarojnë se një agregat i HEC-it Fierzë prodhon energji elektrike për eksport në Kosovë, të barabartë me 125 MË/h energji elektrike. Por zyrtarët e HEC-it të Fierzës nuk bëjnë të ditur nëse sasia e energjisë së eksportuar është blerje nga ana e KEK-ut apo depozitim energjie nga ana e KESH-it. Aktualisht, hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në Shqipëri, prodhon energji elektrike me gjysmën e kapacitetit të tij, ku në punë janë vetëm dy agregatë: njëri prej tyre prodhon energji për Shqipërinë, ndërsa tjetri për Kosovën. Gjithsesi, eksporti i energjisë elektrike në Kosovë nga ana e HEC-it Fierzë në periudhën e vjeshtës është një ogur i mirë për situatën e furnizimit me energji elektrike në Shqipëri. Në pranverën e këtij viti, kur situatat hidrike në liqenet e kaskadës së Drinit janë më të favorshmet gjatë 12 muajve, Shqipëria ka depozituar në Kosovë jo më shumë se 150 megavatorë energji elektrike. Specialistë të HEC-it të Fierzës e konsiderojnë situatën hidrike të këtij viti si të favorshme. Aktualisht niveli i liqenit të Fierzës është në kuotën e 271metrave, ose 12 metra më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ndërkohë që, sipas specialistëve të sallës së komandës, të cilët i referohen periudhave shumëvjeçare, në muajin nëntor pritenreshje shiu që do të ndikojnë në përmirësimin e mëtejshëm të situatës hidrike. Fuqia e instaluar e hidrocentralit të Fierzës është 500 megavat (4 turbina x 125 megavat), ndërsa ajo e HEC-eve të ngritura në kaskadën e Drinit është 1350megavatorë ose 32 milionë kilovatorë gjatë 24 orëve. HEC-i i Komanit ka një fuqi të instaluar 600 megavat, ndërsa Vau i Dejës 250 megavat. Të tre këto hidrocentale përbëjnë 99 % të prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri. Por shifrat e lartpërmendura janë kur liqenet e këtyre HEC-eve janë në kuota maksimale dhe të gjithë agregatët janë në punë. Kërkesat maksimale të Shqipërisë për energji elektrike nuk i kanë kaluar 20 milionë kilovatorë energji elektrike.