E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, një kokërr domate 1,5 kilogramë

MUTACIONET/ Fara e dëmtuar ka sjellë një dëm prej 18 milionë lekësh tek fermerët e fshatit Goriçaj

Fermerët i janë drejtuar avokatëve për ta zgjidhur çështjen në mënyrë ligjore për kompensimin e punës së tyre

LUSHNJË – Myzeqeja është tashmë në “hartën e çudive” për perimet e prodhuara. Një kokërr domate arrin në peshën e 1,5 kilogramëve, ndërsa rezulton e patregtueshme për shkak se është e një cilësie të keqe. Fermerët në fshatin Goriçaj në komunën Gradishtë të Lushnjës, protestuan dje për dëmin e madh që u është shkaktuar në kulturën e domates. Në fakt, janë më shume se 30 fermerë të anëtarësuar në shoqatën e tyre, që kanë mbjellë sera me bimën e domates, por prodhimi nuk mund të shitet për shkak të cilësisë së keqe. Sipas fermerëve, kjo ka ndodhur sepse fara e domates ka qenë e deformuar dhe nuk ka përmbushur asnjë nga parametrat teknologjike të kësaj bime.

Problemet

Fara e domates është blerë në njësitë e shitjes të ligjëruara nga strukturat shtetërore, por kjo nuk ka mjaftuar për të pasur një prodhim të mbarë. Fermerëve u ishte premtuar se fara do të garantonte prodhim të bollshëm dhe se malli do të shkonte për eksport në Maqedoni. Madje, atyre u ishte treguar nga tregtarët edhe një katalog i prodhimit, për t’i bindur blerësit e shumtë se fara ishte e garantuar. Tani, kur prodhimi është në fazën e vjeljes, fruti duket qartë se është i deformuar dhe nuk përmbush asnjë kërkesë të konkurrencës së prodhimit. Kokrra e domates është me plagë, ka lëkurë të hollë dhe çahet shpejt, ka deformime thelbësore dhe nuk është uniforme.

Dëmet

Fermerët këmbëngulën se nga tregtarët kanë marrë garanci për pastërtinë e duhur, duke justifikuar në këtë mënyrë edhe investimet në çdo pronë dhe serë të ngritur. Prodhuesit e domates thonë se janë investuar mbi 18 milionë lekë të reja dhe kjo nuk është pak për ekonominë e fermerëve në një terren të kufizuar. Robert Thomai, një nga fermerët që ka protestuar me shumë forcë, thotë se fermerët i kanë mashtruar dhe ky veprim është i dënueshëm ligjërisht. “Farën e kemi blerë tek Dikja. Sipas tij, prodhimi i pritshëm i kokrrës së domates nuk duhet t’i kalonte 220 gramë. Në fakt, një kokërr domate peshon 1,5 kilogram. Specialistët e perimeve na thonë se shkak i këtij ndryshimi është se fara e domates është e deformuar dhe si pasojë cilësia e prodhimit është e keqe. Malli që vjen nga serat tona nuk shitet as 10 lekë kilogrami për shkak të cilësisë së keqe”,- shprehet Thomai. Fermerëtthonë se kanë bërë shpenzime të mëdha për të përmirësuar ekonominë e tyre private. “Kam mbjellë një dynym sera me domate. Nga e gjithë sipërfaqja, nuk përfitoj asgjë, edhe pse kam investuar shumë para. Këtu nuk llogaritet fuqia e punës së krahut për disa muaj, duke filluar nga plugimi i tokës e deri tek vjelja e prodhimit. Kush përgjigjet për këto shpenzime në proces për muaj të tërë?”,- thotë Kozma Lena, duke shprehur zemërimin për dëmin ekonomik shkaktuar familjes së tij. Një tjetër fermer nga Goriçaj, Pëllumb Prifti, thotë se ka marrë kredi për të ngritur një serë me domate dhe pas një pune të lodhshme ka dalë tërësisht i humbur. “Do të kërkoj të dëmshpërblehem dhe mashtruesit e tregtisë së farërave nuk do t’i fal. Kam mbjellë 2 dynym domate dhe nuk fitoj asnjë lek, edhe pse kam investuar miliona”, deklaron ai

Padia

Prodhuesit e domates në sera në fshatin Goriçaj janë të vendosur se problemin do ta zgjidhin në rrugë ligjore. Ata thanë se kanë përgatitur dokumentacionin e duhur ligjor dhe problemin do ta ndjekin në rrugë gjyqësore. Sipas avokatit Kozma Jano, fermerët e serave të fshatit Goriçaj kanë depozituar dokumentacionin e duhur shkresor pranë institucionit të avokatisë dhe janë duke pritur procedurat e regjistrimit për t’ia kaluar çështjen organeve të drejtësisë, duke kërkuar zbardhjen e së vërtetës që lidhet me shitjen dhe tregtimin e farës së domates me deformim gjenetik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›