LSI-ja, PDK-ja dhe PR-ja ankohen në KQZ për censurën mediatike
Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Demokristiane dhe Partia Republikane janë ankuar dje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkak të censurës mediatike që po i bëhet aktivitetit të tyre elektoral. Gjatë 12 ditëve të fillimit të fushatës elektorale partitë në fjalë shpeshherë kanë ndeshur në një censurë dhe pasqyrim të pakët të aktiviteteve të tyre politike nga mediat në vend. Për më tepër, si LSI-ja, PDK-ja dhe republikanët kanë qenë pak ose aspak të ftuar të marrin pjesë në debatet televizive që kanë të bëjnë me fushatën elektorale. Për të gjitha këto arsye, përfaqësuesit e këtyre partive janë ankuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilit i kanë bërë propozimin që t’u kërkojnë mediave respektimin e neneve të Kodit të ri Zgjedhor që kanë të bëjnë me pasqyrimin e fushatës elektorale. Përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim në KQZ, Ilirjan Mujo, shprehu shqetësimin se mediat nuk po pasqyrojnë sa duhet veprimtarinë e partive të vogla parlamentare gjatë fushatës elektorale. Me këtë shqetësim janë bashkuar Partia Republikane dhe Partia Demokristiane. Ndërkohë, kreu i Bordit të Monitorimit të Medias, Basir Çollaku, deklaroi se dy partive të tjera politike, përkatësisht G99-a dhe LZHK-ja, po u jepet më shumë hapësirë në media nga sa meritojnë me ligj
12 Qershor 2009