E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takohet me Thaçin në Prizren, diskutohet për zgjedhjet në Shqipëri



Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë marrë pjesë në ceremoninë festive që përkujtonte Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Pas kësaj ceremonie kryeministri i Kosovës dhe kreu i opozitës shqiptare kanë zhvilluar një takim kokë më kokë, ku ndër të tjerat kanë folur për zgjedhjet në Shqipëri. Pas takimit, Rama dhe Thaçi dhanë një prononcim për mediat. Gjatë fjalës së tij kryeministri Hashim Thaçi falënderoi politikën shqiptare për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Kosovës. Duke folur për zgjedhjet në Shqipëri, Thaçi tha se shpresonte që në këto zgjedhje të fitonte vizioni për të ardhmen dhe vizioni për Shqipërinë europiane. “Unë kam bashkëpunuar me të gjithë lidershipin në Tiranë. I falënderoj të gjithë për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë Kosovës. Unë çmoj vizionet e reja, veprimet e reja, angazhimet e reja, angazhimet për të ardhmen prandaj ky është një komunikim edhe ndërshtetëror, është komunikim edhe i vizionit për ndryshim.
Unë do të komunikoj me të gjithë, ndërsa në Shqipëri vendos vetë populli shqiptar kush do të jetë kryeministër, kush do të fitojë zgjedhjet dhe me siguri do të fitojë vizioni për të ardhmen, vizioni për Shqipërinë europiane”, - tha kryeministri i Kosovës. Ndërkohë, kreu i PS-së, Edi Rama, shprehu bindjen se shumë shpejt Shqipëria dhe Kosova do të jenë pjesë e Bashkimit Europian. “Ishte kënaqësi që u takuam në një moment që është një ditë e shënuar për historinë tonë të përbashkët. Jam shumë i shtytur së brendshmi të përsëris se në rast se dhjetë vjet më parë ishim në pikën e një kthese historike, që shënoi fillimin e fundit të skllavërisë së Kosovës dhe hapjen e rrugës së lirisë, pas dhjetë vjetësh do të jemi në të njëjtin qiell, në të njëjtin flamur, në Bashkimin Europian”, - tha Rama.

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›