E Diel, 1 Nëntor 2026

Tavo: “Ruli dhe Ksera po ushtrojnë presion psikologjik ndaj votuesve në Lazarat”



Kandidati për deputet i PS-së në qarkun e Gjirokastrës, Vangjel Tavo, ka akuzuar kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, Genc Ruli dhe Spiro Ksera, se kanë urdhëruar Policinë e Gjirokastrës për të ushtruar presion psikologjik dhe dhunë fizike mbi banorët e komunës së Lazaratit. Tavo tha se PD-ja është në panik për humbjen e thellë që e pret në këtë zonë në zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa i bëri thirrje policisë që të distancohet nga veprimet e dhunshme. “Pas vizitës së suksesshme të kryetarit të PS-së Edi Rama në fshatin Lazarat, politikanë mjeranë të PD-së, që shpresën për të fituar e kanë vetëm te maipulimi i votës së lirë duke mbushur kutitë e votimit, janë në gjendje paniku dhe frike për humbjen që i pret më 28 qershor edhe në fshatin Lazarat. Ky fshat nuk mund të përdoret më si mish për top për interesat e Rulit, Kserës dhe një grushti doganierësh apo drejtorësh. Në kuadër të presionit, reprezaljeve dhe dhunës së heshtur që kryhet mbi banorët e thjeshtë të Lazaratit, policia politike e Gjirokastrës ka ngritur postblloqe në disa rrugë të fshatit duke bërë një shtetrrethim të vërtetë. Këto postblloqe të frikshme, në emër të gjoja luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, në fakt kanë si qëllim të trembin dhe terrorizojnë banorët, biznesmenët, ndërtuesit, bujqit dhe blegtorët që nuk mbështesin PD-në dhe nuk votojnë për të”, - tha Tavo.

12 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›