LSI-ja denoncon: “Ish-truproja i Berishës dhunoi protestuesit”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka denoncuar publikisht ish-truprojën e kryeministrit Sali Berisha, Agron Kuliqi, për dhunën e ushtruar ndaj protestuesve natën e së mërkurës. LSI-ja ka denoncuar gjithashtu edhe kreun e një prej rajoneve të policisë së kryeqytetit, Nikollë Vatnikaj, për pjesëmarrjen në dhunimin e mbështetësve të LSI-së në këtë protestë. Mbrëmjen e të mërkurës, pikërisht në momentin kur kamerat e televizioneve ishin larguar nga protesta dhe numri i protestuesve po rrallohej, forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë kanë ndërhyrë dhe kanë ushtruar dhunë. Gjatë këtyre momenteve janë goditur dhunshëm: anëtarja e Kryesisë së LSI-së, Luzhiana Abazi, ish-deputetja Monika Kryemadhi, aktivistë të LSI-së, madje edhe gra shtatzëna. Denoncimi ndaj dy efektivave të policisë, Kuliqi dhe Vatnikaj, është bërë në sallën e Kuvendit edhe nga deputeti i LSI-së, Dritan Prifti. “Dje në darkë unë kam qenë i pranishëm kur forca të policisë, të ndërhyrjes së shpejtë, të Gardës së Republikës, kanë goditur me shkopinj gome, në befasi të plotë, gra dhe fëmijë, të cilët në 12 të natës ishin akoma jashtë Parlamentit për të mbështetur misionin e madh të shokëve tanë që janë futur në grevë këtu. Agron Koliqi, ish-truprojë i Sali Berishës dhe nëndrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ka qenë në krye të operacionit. Nikollë Vatnikaj, shef i një prej rajoneve të policisë këtu, kanë marrë pjesë vetë në operacion, duke goditur gra shtatzëna që ishin duke ngrënë bukë. Po hanin bukë, po çlodheshin dhe janë goditur nga forcat e këtij shteti”, - tha Prifti.
Por dje ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Me anë të një deklarate për shtyp, Policia e Shtetit ka sqaruar pozicionin e saj, duke thënë se ndërhyrja ndaj protestuesve është bërë për shkak të ngritjes së paligjshme të një çadre, përpara sallës së Kuvendit, ku po zhvillohen protestat.
14 Nentor 2008