PS-PD: Formulë kompromisi me grevistët për Kodin e ri Zgjedhor
Shaban Sulçe
Ndonëse zyrtarisht as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike nuk kanë bërë asnjë veprim për të marrë parasysh kërkesën kryesore të 10 deputetëve të grevës së urisë, zgjidhja e krizës nuk mund të konsiderohet e largët dhe e pamundur. Partitë kryesore, të cilat kanë hartuar Projekt-Kodin Zgjedhor, të gjendura përballë presionit të brendshëm dhe të jashtëm, po mendojnë për gjetjen e formulës së kompromisit, e cila më pas, me shumë mundësi, do të ndikonte në ndërprerjen e një prej grevave më të jashtëzakonshme në historinë e politikës shqiptare. Burime të besueshme kanë bërë të ditur se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë të gatshme për të “riparuar pjesërisht” propozimet e tyre të kontestuara jo vetëm nga LSI-ja e PDK-ja, por edhe nga faktori ndërkombëtar në Kodin e ri Zgjedhor, për çështjen e administrimit të zgjedhjeve. PS-ja dhe PD-ja do të vazhdojnë të insistojnë për një përbërje 6+1 për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por për shkak të presionit që ka shkaktuar greva e urisë së 10 deputetëve, partitë kryesore duket se janë të detyruara të “lëshojnë pe” përsa i përket përbërjes së numrit të anëtarëve të komisioneve zonale të administrimit të zgjedhjeve dhe komisioneve të numërimit të votave. Kështu, dy partitë kryesore priten të gjejnë dhe të japin konsensusin në Projekt-Kod, që në këto komisione përbërja të jetë 8+1, çka nënkupton që edhe LSI-ja, ashtu edhe PDK-ja do të kenë përfaqësuesit e tyre në këto komisione. Gjithsesi, kjo është vetëm një ide që po diskutohet, ndërkohë që LSI-ja dhe PDK-ja kanë bërë thirrje për dialog politik për zgjidhjen e kërkesave të tyre.
Kriza
I vetmi kapitull i kontestuar në Kodin e ri Zgjedhor, që është diskutuar në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, është ai që ka të bëjë me administrimin e procesit zgjedhor. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike prej kohësh kishin rënë parimisht dakord për të miratuar formulën 6+1 të përbërjes së KQZ-së, komisioneve zonale të administrimit të votës dhe komisioneve të numërimit. Kjo formulë përjashtonte dhe i hiqte mundësinë Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokristiane për të pasur përfaqësues në këto komisione, si dhe për të marrë pjesë në procesin e administrimit të votës. Të gjendur përballë kësaj formule përjashtuese, ditën e hënë 10 deputetë, përkatësisht të LSI-së, PDK-së, dhe PS ‘91 filluan grevën e urisë në Sallën e Kuvendit. Kërkesa e tyre ishte hartimi i një kodi zgjedhor që do të garantonte gjithëpërfshirjen dhe të drejtën e barazisë në procesin e administrimit të votës.
Formula
Në ditën e katërt të grevës së urisë duket se tashmë ka ardhur një sinjal pozitiv nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Ato po diskutojnë që komisionet zonale të administrimit të votës dhe të komisioneve të numërimit të përbëhen nga formula 8+1, çka nënkupton pjesëmarrjen në komisione të LSI-së dhe të PDK-së. Por PS-ja dhe PD-ja duket se nuk do të lëshojnë pe nga qëndrimi i tyre për përbërjen 6+1 të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por pavarësisht kësaj, varianti mund të sjellë zgjidhjen e krizës. Duke pasur përfaqësimin në komisionet e numërimit të votave, LSI-ja dhe PDK-ja mund të pranojnë Kodin e ri Zgjedhor, pavarësisht mungesës së anëtarit në KQZ, pasi ato do të kenë komisionerët që do të mbrojnë votën, dhe kjo është arsyeja se përse deputetët e këtyre dy partive janë futur në grevë urie.
Zhvillime nga greva
OSBE. Dje në mesditë, studentë, bashkatdhetarë me banim në Vjenë të Austrisë, u mblodhën dhe protestuan njëzëri në mbështetje të
deputetëve grevistë përpara selisë qendrore të OSBE-së. Protestuesit u shprehën se janë në unison të plotë me atë që kërkojnë deputetët në grevë urie, të cilët kanë ndërmarrë sakrificën sublime për t’i thënë jo vjedhjes dhe manipulimit të votës së lirë nëpërmjet një kodi zgjedhor që po monopolizon gjithë procesin zgjedhor nga Partia Demokratike dhe ajo Socialiste.
Protesta. Edhe dje, për të katërtën ditë radhazi, ka nisur një protestë madhështore në mbështetje të deputetëve të futur në grevë urie. Qytetarë të ardhur me shumicë nga Tirana, por dhe të tjerë të ardhur nga e gjithë Shqipëria, u bashkuan në përkrahje të deputetëve, të ngujuar që prej katër ditësh në sallën e Kuvendit. Protesta ka qenë e qetë dhe pa incidente.
PAD. Partia Aleanca Demokratike ka deklaruar mbështetjen në drejtim të 10 deputetëve të grevës së urisë. Nënkryetari i PAD-së, Arben Demeti, shprehu solidaritetin ndaj deputetëve grevistë dhe bëri thirrje për një rishikim të Kodit Zgjedhor, pasi ai nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme.
PDS. Edhe Partia Demokracia Sociale ka shprehur mbështetjen ndaj deputetëve grevistë të LSI-së, PDK-së dhe PS ‘91. Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, i quajti të drejtat kërkesën e deputetëve grevistë dhe bëri thirrje për rishikim të Kodit Zgjedhor, duke e cilësuar atë antikushtetues dhe në kundërshtim me parimet demokratike.
Ilir Meta. Kreu i LSI-së ka komunikuar me protestuesit përmes telefonit celular. Meta i ka falënderuar ata për përkrahjen e fortë që po tregojnë në mbështetje të deputetëve në grevën e urisë dhe kauzës madhore të mbrojtjes së votës së lirë. “Me fitoren tonë do të fitojnë të gjithë shqiptarët. Ju falënderoj për këtë manifestim të jashtëzakonshëm dhe madhështor. Është vërtet një manifestim, i cili tregon mesazhin e vërtetë të qytetarëve civilë dhe të kësaj greve urie, por edhe të solidaritetit tuaj, krejt i ndryshëm nga dhuna e turpshme që ushtroi mbrëmë Sali Berisha me konsensusin e Edi Ramës”, - tha Meta.
Pëllumb Xhufi. Deputeti i LSI-së, i cili është një ndër 10 deputetët e grevës së urisë, ka deklaruar se dy prej deputetëve kanë pasur dje shqetësime shëndetësore. Sipas Xhufit, deputetët në fjalë kanë pasur rënie të tensionit të ulët. Ai deklaroi se asistenca mjekësorë ka qenë shumë e mirë deri tani dhe se morali i deputetëve grevistë është i lart
14 Nentor 2008