Redi Jupi fiton gjyqin me Diyarbakirspor
Redi Jupi, së bashku me tre lojtarë të tjerë, “mundën” klubin e njohur turk, Diyarbakirspor në Gjykatën e FIFA-s, edhe pse sipas faqes turke, diyarbakirsoz.com, lojtarët nuk kishin luajtur qoftë edhe një minutë.
Qeveria botërore e futbollit, FIFA, paralajmëroi klubin turk Diyarbakispor të kompensojë me nga 500 mijë lira turke lojtarët Redi Jupi, Ermin Rakoviç, Goran Stavreski dhe Igor Jançevski. Çështja ka të bëjë me mospagimin në sezonin 2005-2006, të lënë në mes nga Redi Jupi, i cili më pas u rikthye në Shqipëri dhe u bë trajner-lojtar i Dinamos të atij sezoni.
Vendimi ka mbërritur në zyrat e Federatës Turke të Futbollit dhe në klubin turk. Masat paralajmërojnë në rast mospagese si hap të parë heqjen e 24 pikëve, nga 6 për çdo lojtar, dhe në rast mospagimi hapi i dytë do të jetë zbritja një kategori më poshtë. Afati i fundit është 15 janari. Klubi turk, në fakt, ka pasur probleme me shlyerjen korrekte të kontratave.
Redi Jupi ka qenë pjesë e Diyarbakirspor në sezonet 2003-2004, 2004-2005 dhe 2005-2006, duke luajtur për këtë skuadër 88 ndeshje, e duke shënuar 1 gol. Ish-futbollisti i Kombëtares, Redi Jupi, ka luajtur në Shqipëri me Dinamon, Partizanin e Tiranën, ndërsa në Kroaci me NK Pula e NK Rijeka.
Renditja FIFA, Shqipëria e nis me lajme të mira
Shqipëria e futbollit e nisi me një lajm të mirë vitin 2009, duke u ngjitur edhe tri vende të tjera në renditjen botërore të FIFA-s për muajin janar 2009. Tani jemi në vendin e 78-të, nga i 81-ti që renditeshim në muajin dhjetor 2008, duke bërë “kërcimin: më të madh nga gjashtë skuadrat e Grupit 1 eliminator të Kampionatit Botëror Afrika e Jugut 2010”.
Duke parë të gjitha renditjet gjatë muajit janar, që nga fillimi i vitit 1993, vendi i 78-të është i dyti më i mirë, pas atij të vitit 2001, kur në janar të atij viti renditeshim në vendin e 74-t.
Në renditjen specifike europiane Shqipëria renditet po në vendin e 36-të, ashtu si në muajin dhjetor, duke lënë pas plot 17 vende nga 53 federata që aderojnë në UEFA.
Nga kundërshtarët e tjerë të eliminatoreve të Botërorit 2010, Portugalia ndodhet e 11-ta në FIFA, Suedia ka ngjitur 1 vend, tani e 31-ta në FIFA; Danimarka e 36-a në FIFA (+1 vend); Hungaria nuk ka lëvizur dhe ndodhet në vendin e 47-të.
Malta, kundërshtari ynë i radhës në ndeshjen zyrtare të 11 shkurtit, ka zbritur 1 vend dhe tani është e 148-ta në FIFA dhe e 49-të në renditjen e UEFA-s.
RENDITJA
Renditja botërore dhe ajo europiane kryesohet nga Spanja (1663 pikë), Gjermania (1381 pikë) e Holanda (1338 pikë)
RENDITJET
FIFA
78 Libia +4 vende
78 Shqipëria +3 vende
80 Islanda +3 vende
UEFA
35 Letonia -3 vende
36 Shqipëria +3 vende
37 Islanda +3 vende
GRUPI 1
Ekipi FIFA UEFA PIKË LËVIZJA
Portugalia 11 10 1007 0
Suedia 31 19 748 +1
Danimarka 36 22 716 +1
Hungaria 47 25 606 0
Shqipëria 78 36 424 +3
Malta 148 49 151 -1
Të gjitha renditjet në muajin janar
Janar 1993: 86
Janar 1994: 92
Janar 1995: 100
Janar 1996: 90
Janar 1997: 117
Janar 1998: 116
Janar 1999: 91
Janar 2000: 83
Janar 2001: 74
Janar 2002: 92
Janar 2003: 98
Janar 2004: 89
Janar 2005: 86
Janar 2006: 83
Janar 2007: 86
Janar 2008: 80
Janar 2009: 78
Partizani humbet 1-3 me Adën e Velipojës
Partizani dështon edhe para ekipeve të vogla. Të kuqtë janë mundur 3-1 në miqësoren me Adën e Kategorisë së Parë, në testin e zhvilluar në Kompleksin e Kombëtares në Kamëz. Golin e parë të ndeshjes e shënoi Sulçe për Partizani, por më pas skuadra e Shpëtim Duros pësoi tre gola.
Goditja me kokë, 1 milion lekë të vjetër gjobë
Godet me kokë kundërshtarin dhe detyrohet të paguajë 1 milion lekë të vjetër në arkën e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kjo është masa për portierin e Lushnjës, Mikel Spaho, dhënë nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së. Spaho, përveç kësaj, është pezulluar edhe pesë ndeshje. Gjobë mori edhe zëvendëstrajneri i Apolonisë, Ardian Balla (500 mijë lekë të vjetra) dhe tri ndeshje pezullim.
Shkumbini bëhet malazez
Shkumbini u nis dje në Ulqin të Malit të Zi për të kryer fazën përgatitore dimërore. Me skuadrën e trajnerit Gugash Magani nënshkroi mesfushori i avancuar, Igor Jaksimovic.
Ku ndodhen për momentin ekipet e Superligës
Mali i Zi
1. Vllaznia
2. Shkumbini
Turqi
1. Tirana
2. Dinamo
3. Apolonia
4. Besa
5. Flamurtari
Maqedoni
1. Elbasani
Shqipëri
1. Teuta
2. Partizani
3. Lushnja
4. Bylis
15 Janar 2009