E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhixho e LSI-së: “Votuam kundër buxhetit sepse nuk u shërbente interesave të qytetarëve”



Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, njëkohësisht edhe përfaqësuesja e LSI-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Erisa Xhixho, deklaroi dje se vota kundër projektbuxhetit nuk ishte një votë politike, por ishte votë kundër një projektbuxheti që nuk u shërbente interesave të qytetarëve të Tiranës. Duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, Xhixho tha se buxheti nuk i plotësonte nevojat e qytetarëve. “Duke shprehur keqardhjen edhe njëherë lidhur me deklaratat e djeshme krejtësisht të pavërteta, demagogjike dhe të qëllimshme për diversion politik të nënkryetarit të Bashkisë, z. Shalsi, dua të sqaroj qytetarët e Tiranës dhe tërë opinionin publik, se qëndrimi i këshilltarëve të LSI-së për projektbuxhetin e 2009-s nuk është aspak politik, por ka lidhje vetëm me interesat dhe nevojat e qytetarëve, që ky buxhet duhet t’i japë zgjidhje”, - tha Xhixho. Ajo i cilësoi të pavërteta deklaratat e Shalsit, sipas të cilit rrëzimi i projektbuxhetit kishte penguar projektin e ngrohjes së shkollave të Tiranës.
“Nënkryetari i Bashkisë deklaroi se projekti i ngrohjes së shkollave të Tiranës dhe konkretisht ‘Petro Nini Luarasi’, apo dhe të tjera gjimnaze të kryeqytetit, por edhe shkolla 9-vjeçare, kopshte apo çerdhe na qenkan bllokuar si pasojë e mosmiratimit të p/buxhetit të këtij viti. Unë dua të theksoj se e vërteta është krejt ndryshe. Në buxhetin e 2008-s, për të cilin kam dhënë votën pro edhe unë, në programin e investimeve të sistemit arsimor, ishte parashikuar rikonstruksioni i dy kopshteve dhe rikonstruksioni i 12 shkollave, ndërtimi i 5 shkollave të reja me prioritet përmirësimin e sistemit të ngrohjes dhe vendosja e sistemit të ngrohjes në 9 çerdhe. Në fakt, sot e kësaj dite, akoma shkollat “Petro Nini”, “Qemal Stafa”, apo shkollat 9-vjeçare “Edit Durham” dhe të tjera shkolla në Tiranë, nuk kanë të instaluar sistemin e ngrohjes, duke bërë mësim në kushte të vështira dhe pa ngrohje në këto ditë të ftohta. Ndaj Shalsi më përpara se të na thotë se paskemi bashkuar votat me Berishën, ka detyrimin ligjor të na tregojë se ku i ka çuar paratë e planifikuara me objekte konkrete dhe përse akoma shkollat janë pa ngrohje”, - tha Xhixho.

16 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›