PS-ja, gjyq në Kuvend qeverisjes së dështuar të kryeministrit Berisha
Shaban Sulçe
Socialistët paralajmërojnë lëvizje të forta në Kuvend në sesionin i ri parlamentar ndaj atyre që ata e cilësojnë si “suksese të vetëshpallura të kryeministrit Sali Berisha në analizën 7-mujore të qeverisë së tij për vitin 2008”. Selia rozë ka planifikuar zhvillimin e një oponence të fortë ndaj rezultateve të qeverisë aktuale, të cilat ndryshe nga Berisha, ajo i ndëshkon të dështuara dhe shkaktare të mjerimit dhe varfërisë së shqiptarëve. Burime nga selia rozë bën të ditur se gjatë këtyre ditëve 12 komisionet e posaçme, që mbulojnë fushat respektive dhe që kanë të bëjnë me probleme dhe çështje të aktualitetit, kanë hartuar me shkrim të gjitha problematikat dhe dështimet e qeverisë “Berisha” gjatë vitit 2008. Të gjitha këto problematika, që kanë të bëjnë me çështjet sociale, bujqësinë, kulturën, sportin, punësimin etj., janë hartuar në formën e një materiali përmbledhës nga ana e komisioneve përkatëse, të ngritura në Partinë Socialiste. Ky material është depozituar dje në zyrën e kryetares së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj. Përmbajtja e këtij materiali do të jetë në epiqendër të oponencës së grupit parlamentar me nisjen e sesionit të ri. Deputetët e PS-së do të atakojnë qeverinë për dështimet e saj në të gjitha sektorët gjatë vitit 2008.
Dështimet e qeverisë
Ndonëse kryeministri Berisha ka vetëshpallur një sërë suksesesh në analizën 7-mujore të qeverisjes së tij për vitin 2008, bilanci real është krejt ndryshe. Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij shënojnë të paktën 7 dështime të bujshme gjatë këtij viti, të cilat janë krimi shtetëror i Gërdecit, thellimi i nivelit të korrupsionit, i varfërisë e i papunësisë, rënia e cilësisë së jetesës, kriza në ekonomi dhe investimet e pakta në infrastrukturë. Të gjitha këto dështime janë denoncuar menjëherë nga përfaqësuesit e partive opozitare, midis tyre edhe nga Partia Socialiste menjëherë pas deklaratave të Berishës. Partitë në fjalë e kanë akuzuar kryeministrin Berisha se në analizën e zhvilluar nuk bëri gjë tjetër veçse mashtroi shqiptarët dhe se tentoi t’u shmanget përgjegjësive për 7 dështimet e bujshme të qeverisë së tij gjatë vitit 2008.
Interpelancat
Sesioni i ri parlamentar pritet të rikthejë në vëmendje edhe interpelancat e kërkuara nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Këto interpelanca, të cilat ishin planifikuar të zhvilloheshin me kryeministrin Berisha, nuk u zhvilluan asnjëherë gjatë punimeve të këtij viti të Kuvendit, për shkak të refuzimit dhe shmangies që Berisha i bëri atyre. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kishte planifikuar të zhvillonte brenda muajve prill-qershor 15 interpelanca me përfaqësuesit e qeverisë aktuale për disa nga çështjet kryesore, që përbëjnë interes dhe shqetësim për opinionin publik. Ky numër ishte edhe më i madh po të kihet parasysh fakti që deputetët e Partisë Socialiste kishin depozituar edhe tri kërkesa të tjera për të thirrur në interpelancë anëtarët e Këshillit të Ministrave. Ndër interpelancat kryesore ishte ajo që kishte të bënte me tragjedinë dhe krimin shtetëror të Gërdecit, për përgjegjësinë direkte të kryeministrit Berisha. Kjo interpelancë nuk u zhvillua asnjëherë për shkak të mungesave të Berishës, ndërkohë që shmangiet e tij sollën me të drejtë reagimet denoncuese të përfaqësuesve të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
PS: Mjedisi i papastër, dështimi i qeverisë në këtë sezon turistik
Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka akuzuar qeverinë se më dështimin e saj në zbatimin e politikave mjedisore i ka shkaktuar mjaft probleme zhvillimit të sezonit turistik në vend. Klosi tha se plehrat dhe papastërtitë në zonat turistike, mungesa e infrastrukturës ishin shprehja më e mirë e paaftësisë së qeverisë për të zhvilluar turizmin në këtë verë. “Plehrat në anë të rrugëve nacionale i vrasin sytë çdo turisti që zbret drejt Sarandës apo ngjitet drejt Shëngjinit. Plehrat në hyrje e dalje të të gjitha zonave me banesa e hotele buzë Adriatikut e Jonit, janë vula e një politike të dështuar mjedisore dhe e një qeverisjeje primitive që s'është në gjendje të kryej as edhe një shërbim të rëndomtë pastrimi mbeturinash anës rrugëve nacionale e pranë zonave turistike. Mungesa e infrastrukturës së kanalizimeve e të përpunimit të ujërave të zeza në të gjitha zonat me banesa e hotele buzë Adriatikut e Jonit, që janë të mbushura me gropa septike është shembulli më flagrant i një politike të dështuar turistike dhe i një qeverisjeje primitive që s'është në gjendje të kryej as edhe një shërbim të rëndomtë trajtimi ujërash të zeza në zonat turistike, ku kushtet e higjienës janë jashtë çdo standardi europian”, - tha deputeti i PS-së, Blendi Klosi.
20 Gusht 2008