E Diel, 1 Nëntor 2026

Ishin dënuar me burg, dërgohen në qeli tre të kërkuarit



Fier - Tre persona të shpallur në kërkim janë vënë në pranga nga Policia e Fierit. Burime nga uniformat blu thanë për gazetën “Albania” se janë arrestuar tre persona, të cilët ishin shpallur në kërkim. Në prangat policore kanë rënë; Aurel Perriu, 33 vjeç, banues në Karavasta, pasi në vitin 2002 ka përdorur për prostitutë në Itali vajzën me inicialet R. D. nga Kruja. Në 2003-shin, e reja ka bërë kallëzim penal ndaj Perriut në Komisariatin e Policisë së Krujës. Gjykata e Krujës e ka dënuar me 21 muaj e 23 ditë burg.
Po ashtu është dërguar në qeli edhe Arben Gjika, 38 vjeç, banor i Fierit. Ky person ishte i shpallur në kërkim pasi në kohën që ndodhej emigrant në Greqi, kishte tentuar të vriste një qytetar dhe Drejtësia greke e ka dënuar në mungesë. Dënimi i Arben Gjikës është konvertuar nga Drejtësia shqiptare me tre vjet burg vendim i marrë prej Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë e kryer në kushte të tronditjes së thellë psikike”.
Ardian Bana, 35 vjeç nga fshati Boçovë i komunës Levan, i arrestuar nga policia e Fierit, pasi ishte shpallur në kërkim për dënimin e pakryer me tre vjet burg për vjedhje e shkatërrim të pronës së tjetrit.

Trafiku i drogës, pranga 6 italianëve dhe 7 shqiptarëve

Bolonja - Një bandë italo-shqiptare është shkatërruar nga Policia italiane gjatë mëngjesit të djeshëm. Mediat e shtetit fqinj, duke iu referuar policisë, raportojnë se në pranga janë vënë 13 persona, mes të cilëve shtatë janë shqiptarë. Sipas medias italiane, në pranga kanë rënë Gëzim Reçi, Eduart Shuli, Sokol Bushpepa, Eduard Ndreu, Erjon Lleshaj dhe vëllezërit Gentian e Taulant Ermezi. Banda furnizohej me drogë të llojit kokainë, kryesisht nga Shqipëria e Holanda, të cilën e shiste në tregun italian me 30-40 euro grami. Në prangat e uniformave blu ka rënë dhe një biznesmen italian në qytetin e Bolonjës. Xhani Marselia 45 vjeç, pronar i një firmë ndërtimi, është arrestuar si pjesë e operacionit që çoi në shpërbërjen e organizatës.

Abuzoi me të miturën shqiptare, arrestohet pedofili grek

ATHINË - Një fëmijë shqiptar ka rënë pre e pedofilisë në shtetin grek. Bëhet fjalë për një nëntëvjeçare, e cila është abuzuar seksualisht nga një 57-vjeçar i quajtur Jorgos Jordhami. Ngjarja e rëndë ndodhi në kryeqytetin e vendit, Athinë, në lagjen “Markopulos” dhe u denoncua nga prindërit shqiptarë të vogëlushes. Mediat greke raportojnë se 57-vjeçari ishte i martuar me një grua shqiptare. 9-vjeçarja e abuzuar seksualisht ishte mbesa e gruas së Jorgos Jordhamit, personi i cili u akuzua dhe që tashmë ndodhet nën arrest. Ky është rasti i tretë i pedofilisë që trondit opinionin publik grek.

Ngroheshin me mangall, asfiksohet familja me 9 anëtarë në Vlorë

VLORË - Në përpjekje për t’u ngrohur, një familje me 9 persona ka përfunduar në spital. Ngjarja ka ndodhur natën e së enjtes në Vlorë, kur anëtarët e një familjeje kanë përfunduar në urgjencë të asfiksuar nga monoksidi i karbonit. Familjarët u kanë treguar mjekëve se kishin ndezur zjarr në një mangall, të cilin e kanë lënë të ndezur gjatë gjithë natës. Për pasojë, monoksidi i çliruar ka mbushur shtëpinë, duke asfiksuar 9 persona, që fatmirësisht i kanë shpëtuar vdekjes. Një nga gratë e familjes Dapa ka pasur dhimbje të forta koke dhe është zgjuar nga gjumi. Ajo ka gjetur familjarët e tjerë të asfiksuar dhe ka lajmëruar fqinjët, të cilët i kanë transportuar në spital. Pas ndihmës së parë dhe një nate në spital ata dje paradite janë kthyer në shtëpinë e tyre.

Kurohej pas aksidentit në një spital italian, prangoset vrasësi shqiptar

TORINO - Një klandestin shqiptar është arrestuar ditën e premte teksa ndodhej i shtruar në Spitalin e Torinos. Arjan Lukani, i cili mjekohej prej dy vjetësh në spital pasi kishte pësuar një aksident automobilistik në korrik të vitit 2006, përfundoi në pranga. Ishte një vendim i dhënë nga Gjykata e Tiranës, ku 40-vjeçari është gjetur fajtor për vrasje të dyfishtë të kryer më 28 shtator 1999 në Babrru të Tiranës, ai që e dërgoi në qeli Lukanin. Vrasjet kanë ndodhur gjatë një zënke në lokalin e të arrestuarit, ku dy klientë, njëri prej të cilëve i armatosur po grindeshin me njëri-tjetrin. Ishte pikërisht Arjan Lukani, i cili sapo kishte parë grindjen kishte qëlluar me armë drejt dy klientëve, duke i lënë të vdekur në vend. Autoritetet shqiptare e kishin shpallur Lukanin në kërkim ndërkombëtar dhe kishin njoftuar Policinë italiane se vrasësi ndodhej ndoshta në Torino. Pas verifikimeve të rastit, shqiptari është arrestuar të premten e kaluar dhe më pas është transferuar në Spitalin e Burgut në Molinete, në pritje të një ekstradimi.

14 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›