E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja kundër qeverisë dhe Bashkisë për prishjen e parkut “Rinia”



Sekretari për Marrëdhënien me Publikun në LSI, Luan Rama, ka reaguar ndaj vendimit më të fundit të qeverisë, e cila i ka dhënë leje Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e dy parkingjeve, njëri përpara stadiumit “Qemal Stafa” dhe tjetri në parkun “Rinia”.
Luan Rama tha se LSI-ja është kundër prishjes së parkut “Rinia” dhe se e denoncon këtë vendim të marrë në mungesë të transparencës, që është bërë praktikë e të gjitha vendimmarrjeve që kanë të bëjnë me mjediset publike, qofshin këto sheshe, sipërfaqe të gjelbra apo terrene sportive. “Për shkak të një politike antiqytetare, pas vendimit të fundit për ndërtimin e dy parkingjeve në parkun “Rinia” dhe përpara stadiumit “Qemal Stafa”, Tiranës mund t’u shtohen dy parkingje që nuk janë më shumë se 500 metra larg njeri-tjetrit, por do t’i mungojë parku “Rinia” dhe pemët e tij, për të cilin u bënë tërë ato investime pas prishjes së kioskave, për ta rikthyer në mjedis të gjelbër; Tiranës do t’i shtohet betoni dhe hekuri, por nuk do t’i zgjidhen problemet e mëdha të trafikut; Tiranës do t’i shtohen dy biznese fitimprurëse për ata që kanë marrë të drejtën t’i ndërtojnë këto dy parkingje, por do t’i shtohet edhe një hapësirë tjetër tregut të monopoleve të kontrolluara nga njerëzit me pushtet, për sa kohë mungon një plan qoftë edhe për rrjetin e parkingjeve dhe që të mbulojë gjithë hapësirën e qytetit të Tiranës”, - tha sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›