E Diel, 1 Nëntor 2026

Mikrokredia rurale, si mund ta përfitojnë fermerët dhe çfarë duhet të kenë kujdes



Ervin Koçi

Mikrokredia rurale, ose e thënë ndryshe kredia konsumatore që jepet për fermerët, është një model i ri financimi i biznesit agro-industrial në vend. Edhe pse ka nisur të aplikohet që në fillim të viteve ’90 në vendin tonë, vetëm tani ky lloj shërbimi ka nisur që të shihet si me leverdi nga fermerët. Kjo për shkak të përcaktimit të rregullave të qarta të lojës, ku institucionet që ofrojnë këtë lloj kredie i bëjnë të ditur që në fillim fermerit mbi përparësitë dhe elementët ku ai duhet të bëjë kujdes dhe të tregohet korrekt me ketë lloj shërbimi. Mikrokredia vlerësohet aktualisht nga ekspertët e fushës si një nga faktorët kryesorë që mbështet drejtpërdrejt rritjen dhe përmirësimin e ekonomive të vogla në zonat rurale. Behar Gjoni, drejtor Departamenti në “Unionin SHKK”, shpjegon për gazetën “Albania” se si u krijua mikrokredia, roli dhe funksionimi i saj në vendin tonë, mbështetur edhe në eksperiencën ndërkombëtare. Sipas tij, “në botë, të varfrit e zonave rurale janë me miliona, jo sepse nuk janë në gjendje të administrojnë të ardhurat e tyre, por sepse nuk i kanë këto të ardhura”. Studimet kanë treguar se mikrondërmarrjet e zonave rurale marrin rendimente të larta të kapitalit që ato investojnë. Por problem mbetet çështja se fermerët nuk kanë akses të mjaftueshëm për fonde, për pasojë shpërblimi i tyre në përgjithësi mbetet i ulët, çka zgjat ciklin e varfërisë. Sipas Gjonit, “aksesi për financim përbën një sfidë për zhvillimin e aktiviteteve ekonomike rurale, prandaj mikrokreditë janë një mundësi e mirë në këtë drejtim”.

Mikrofinanca

Shërbimi i mikrokredive e ka zanafillën në kooperativat e krijuara në Evropë në fund të shekullit të XIX (19-të). Ajo konsiston kryesisht në dhënien e shumave të vogla të huas individëve që nuk kanë mundësi të marri pra hua (borxh) në bankat klasike (bankat tregtare private). Fillimet e mikrofinancës në Shqipëri u shfaqën në zonën rurale në fillim të viteve ‘90. Kjo sepse Shqipëria është një vend ku rreth 50 për qind e popullsisë jeton në zonat rurale dhe sepse shumica e njerëzve të varfër, si në shumë vende në zhvillim, jetonin në këto zona. Në këtë kohë, pas ndryshimit të sistemeve u krijuan më shumë se 300 mijë ferma të vogla që prodhonin vetëm për konsum të brendshëm dhe ndesheshin me shumë vështirësi për fillimin dhe financimin e aktiviteteve që gjenerojnë të ardhura. Projekti i Kredisë Rurale, tani është institucionalizuar si “Unioni SHKK”. Ai u angazhua për krijimin e një sistemi financiar kooperativ, mbi bazën e eksperiencës botërore, mbështetjen e donatorëve e qeverisë, si dhe partneritetin e vërtetë me komunitetin rural. Misioni i Unionit dhe SHKK-ve, i përcaktuar në statut, është mbështetja e individëve me të ardhura të ulëta, praktikisht të përjashtuar nga sistemi bankar, banorë të zonave rurale dhe gjysmë urbane. Aktualisht janë me dhjetëra mijë familjet fshatare që kanë mundur të investojnë për aktivitete prodhuese, duke ndikuar ndjeshëm në krijimin e punësimit, rritjen e të ardhurave e përmirësimin e kushteve të jetesës në fshat. Në sektorin financiar ky kooperim ka si rezultat final krijimin e bankave ose kooperative (referuar Ligjit 8782, datë 03.05.2001 në Shqipëri këto emërtohen shoqëri kursim-kredie).

Portofoli i kredisë

Portofoli i kredisë në rrjetin e SHKK-së është 3.4 miliardë lekë (afërsisht 30 milionë euro). Ky portofol administrohet nga rreth 16 000 klientë, destinacioni kryesor i këtyre kredive është bujqësia (serat, vreshtat, frutikultura), blegtoria (lopët për prodhim qumështi dhe mishi, blegtoria e imët), si dhe aktivitete të tjera në funksion të prodhimit si mini-baxho për përpunim qumështi, furra buke etj. Kohët e fundit kanë filluar të financohet edhe aktiviteti i agroturizmit dhe turizmi familjar, të përqendruara në zonën e Himarës, Lukovës, Gjirit të Lalzit etj. Unioni është shumë aktiv në sigurimin e shërbimeve financiare dhe asistencës teknike për 104 SHKK-të që përfshijnë një total prej 800 fshatrash dhe 23000 anëtarësh, referuar fundit të 6-mujorit të parë 2008. Që nga fillimi e deri tani, huadhënia është konsideruar si një produkt kryesor i “Unionit SHKK”. Kjo për shkak se përfitojnë shumica e anëtarëve dhe pjesa më e madhe e fitimit vjen nga ky shërbim. Unioni Shqiptar i Shoqërive Kursim-Kreditit aktualisht operon në trembëdhjetë rrethe të Shqipërisë, si: në Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Gramsh, Lushnjë, Fier, Vlorë, Shkodër, Sarandë, Berat, Peqin dhe Librazhd.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›