E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja nënshkruan marrëveshjen e koalicionit me PSV 1991 të Petro Koçit



Lëvizja Socialiste për Integrim zgjeron koalicionin e saj të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, nënshkroi dje marrëveshjen e koalicionit me Partinë Socialiste të Vërtetë ’91, (PSV 1991) që drejtohet nga Petro Koçi. Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, ndodheshin drejtues të të dyja forcave politike. Pas ceremonisë së nënshkrimit, kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se marrëveshja është një garanci shumë e rëndësishme për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit dhe për garantimin e një qeverisjeje të majtë dhe progresiste. “Qeverisja jonë do të jetë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe do të ketë në themelet e veta politika ekonomike dhe sidomos sociale, të cilat do t’i integrojnë shqiptarët në jetën sociale e ekonomike dhe jo t’i përjashtojnë ata. Njëkohësisht kjo Marrëveshje është një garanci shumë e rëndësishme për fitoren tonë më 28 Qershor, sepse jo vetëm kasta e Sali Berishës do të marrë fund me votën e shqiptarëve, por nuk do të ketë as rrotacion kaste. Qeverisja do t’u kthehet njerëzve, do t’u kthehet qytetarëve dhe do t’i shërbejë atyre për t’i dhënë zgjidhje problemeve më të rëndësishme dhe më jetike në luftën kundër varfërisë”, - tha Meta. Ndërkohë kryetari i PSV 1991, Petro Koçi, u bëri thirrje të majtëve që t’i bashkohen këtij koalicioni, i cili është përfaqësuesi i denjë i socialistëve dhe të majtëve të vërtetë. Kjo është një marrëveshje, e cila garanton qeverisjen e të majtëve pas zgjedhjeve të këtij viti. Sigurisht që kjo marrëveshje ka parasysh, mbi të gjitha, interesat politike të vendit për të hequr nga pushteti një koalicion të djathtë të korruptuar përfundimisht dhe për të vendosur një qeverisje të mirë, një qeverisje të kontrollueshme nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë në katër vitet e ardhshme qeverisëse. Ne nga kjo tribunë bashkëpunimi u bëjmë thirrje të gjithë të majtëve, të gjithë socialistëve të vërtetë, kudo që të jenë, që më 28 qershor t’u drejtohen pa ngurrim kutive të votimit për të fituar zgjedhjet, sepse zgjedhjet do t’i fitojë ai bllok politik që tërheq në procesin e votimit më shumë mbështetës sesa blloku tjetër”, - tha Koçi.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›