“Pango”, prokurorët presin analizat për të vazhduar me dëshmitarët
Ekipi i prokurorëve dhe hetuesve gjyqësorë në Prokurorinë e Përgjithshme është në pritje të analizave laboratorike të filmimeve për të vazhduar më tej dhe me marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe aktorëve të evidentuar në skandalin “Pango. Mesditën e djeshme, prokurorja Anila Leka, e cila drejton dhe hetimet, ka mbledhur ekipin e saj, ndërsa në fund të mbledhjes është vendosur pritja e analizave të filmimeve, rezultati i të cilave do të orientojë dhe marrjet në pyetje. Deri tani në proces analize ka shkuar vetëm kaseta e parë filmike. Si pistë hetimore e prokurorëve është bërë dhe mundësia e trafikimit të pushtetit nga zoti Pango nëpërmjet OJF-së së tij. Nëse ka diçka të sigurt në telenovelën “Pango” është fakti se deklarata e tij pasurore nuk ka asgjë të përbashkët me deklarimet e tij në filmim (të shfaqur të enjten në “Top Story”), ku Pango pretendoi se nëpërmjet këtij instituti merrte projekte prej qindra mijëra eurosh. Në deklaratën e tij të zbardhjes së pasurisë Pango ka nënshkruar një rezervë monetare prej 2 milionë lekësh, të ardhurat nga rroga 2 milionë e 500 mijë lekë në vit si dhe të ardhurat nga shitja e librave (rreth 750 mijë lekë). Instituti nuk gjendet gjëkundi në këtë deklaratë. Nuk figuron fare. Por, të paktën, nëse u referohesh filmimeve, del se ministri ka dhënë vetë një version jozyrtar dhe informal mbi marrëdhëniet e tij me këtë institut. Në këto filmime zoti Pango i ka deklaruar “punëkërkueses” se donte ta punësonte edhe në Institut, edhe në Ministri. Sipas ish-ministrit, ai ua rezervonte këto lloj punësimesh vetëm të besuarve të vet. Pango ka pretenduar në bisedë se këtë institut e kishte kaluar në emër të mbesës së vet. Drejtuesja e Institutit, zonja Suela Kusi, figuron edhe drejtoreshë e Projekteve në Ministrinë e tij, por edhe pedagoge në Shkencat Sociale. Pra duket qartë se ministri, ndërsa ka pranuar pronësinë “de facto” mbi një institut (që sipas tij thithte qindra mijëra euro donacione nga projektet), vërteton se edhe drejtoresha e tij e projekteve në këtë ministri punon për llogari të këtij instituti. “Ideja ishte të ishe këshilltarja ime, me rrogë shumë të mirë, sepse do të ishe e kabinetit. Plus, meqenëse ministrat shkojnë e vijnë, koniunkturat ndryshojnë, unë nuk kam ndër mend të ndryshoj, por për çdo rast lëviz andej, në ndonjë ministri tjetër... nesër, pasnesër... Kuptohet, pas zgjedhjeve, se në këto zgjedhje, deri në shtator, ne këtu jemi. Unë kam një institut dhe po të kishe ardhur, do të të kisha treguar disa gjëra shumë interesante. Atje sapo hyn gjen 7 botime, libra, botime të Institutit, botime ku unë kam pasur të aktivizuar pedagogë dhe studentë të fakultetit... dhe ky institut ka qenë shumë i fuqishëm, ka marrë edhe projekte 100 mijë, 200 mijë euro, 500 mijë euro të Komunitetit Europian, UNDP... dhe gjithmonë ka pasur nevojë për njerëz”, - ka deklaruar Pango gjatë filmimit.
10 Mars 2009