E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali seksual, Pango rrezikon edhe titullin Profesor

Jorgaq Kaçani: “Çështja Pango të shqyrtohet nga Këshilli i Etikës” .

Jonida Tashi

Përveç humbjes së postit të ministrit, Ylli Pangos rrezikon t’i “digjet” edhe titulli Profesor. Konferenca e Rektorëve kërkon nga ish-ministri i Kulturës, që, para se të paraqitet në auditor, të sqarojë në mënyrë institucionale pozicionin e vet moral. Ky pozicion, sipas drejtuesve të Konferencës së Rektorëve, duhet të nisë të shqyrtohet së pari nga Këshilli i Etikës, pranë Universitetit të Tiranës. Kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kaçani, sqaron se në bazë të Ligjit të Arsimit të Lartë, Këshilli i Etikës duhet ta shqyrtojë këtë çështje, pasi, sipas tij, është shkelur morali.
Rektorët
Në mbledhjen që Konferenca e Rektorëve ka zhvilluar dje, posaçërisht për çështjen “Pango”, Kaçani është shprehur se është Këshilli i Etikës në UT, institucioni që duhet të vendosë nëse ish-ministri Pango duhet të japë pwrswri mësim apo jo. Ndërkohë që titulli “Profesor” atij mund t’i hiqet, sipas Kaçanit, vetëm nga komisioni që ia ka dhënë. Në ligjin e Arsimit të Lartë janë përcaktuar qartë detyrat që duhet të kryejë Këshilli i Etikës që vepron mbi bazën e një rregulloreje, e cila miratohet në Senatin Akademik dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Etik janë anëtarë të miratuar nga Senati Akademik. “Akti i parë që duhet kryer është të vendoset në vend morali dhe pas kësaj të fillojnë të gjitha procedurat e tjera. Pra, zoti Pango duhet ta sqarojë këtë ngjarje në linjë institucionale dhe pas kësaj ai mund të fitojë të drejtën e dhënies së mësimit”, - pohoi kreu i rektorëve pas përfundimit të mbledhjes.
Përplasjet
Çështja “Pango”, përveç konfliktit institucional, duket se do të fusë në mosmarrëveshje edhe institucionet përgjegjëse në punën e tij si pedagog. Megjithëse opozita dhe opinioni kërkojnë që ish-ministrit të Kulturës t’i hiqet edhe titulli Profesor, për shkak të skandalit në të cilin ai është përfshirë, krerët e arsimit të lartë nuk e kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët për këtë çështje. Përplasjet e para midis krerëve të arsimit tashmë kanë nisur. Ndërsa Kaçani kërkon që Universiteti i Tiranës të marrë në shqyrtim çështjen, drejtuesi i këtij universiteti, Dhori Kule, ka pohuar të kundërtën. Megjithëse Kule nuk ka dashur të shprehet publikisht mbi rastin “Pango”, ai ka bërë të ditur se nuk mund ta marrë rastin në shqyrtim, për aq kohë sa nga Fakulteti i Shkencave Sociale nuk i ka mbërritur asnjë kërkesë për shkarkimin e tij. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili ka të drejtë të punësojë apo jo pedagogw të jashtëm ose me kohë të plotë, në prononcimin e tij të shkurtër ka sqaruar se Ylli Pango ka afro një vit që qëndron larg nga auditorët për shkak të postit të marrë në qeveri.

Këshilli i Etikës

Këshilli i Etikës ngrihet pranë institucioneve të arsimit të lartë dhe diskuton probleme të etikës së jetës universitare. Ai i bën propozime rektorit për këto çështje.
Anëtarët e Këshillit të Etikës përzgjidhen nga Senati Akademik. Këshilla të etikës mund të ngrihen edhe pranë fakulteteve.
Përbërja, të drejtat, detyrat, organizimi e funksionimi i Këshillit të Etikës përcaktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë, si dhe në rregulloret e tyre të brendshme.

Zgjedhësit mbledhin firmat për heqjen e imunitetit të Pangos

Pas shkarkimit të rrufeshëm nga posti i ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Pango rrezikon edhe mandatin e tij. Burime për gazetën bënë të ditur se vetëm para pak ditësh është ngritur një grup banorësh në Zonën Nr. 38, në kryeqytet, për të mbledhur firmat për heqjen e mandatit të deputetit Ylli Pango. Zgjedhësit i dhanë Pangos 44.5 për qind të votave më 3 korrik 2008 kundrejt 42.91 për qind që mori përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli. Kjo zonë përfshin Qytetin Studenti dhe rrethinat e tij, në Tiranë. Deputeti ka imunitet me Kushtetutë dhe mandati i tij është i pavlefshëm në këto raste: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjidhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në Nenet 69, 70, paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Me Kushtetutë nuk përcaktohet se si mund të hiqet mandati i deputetit nga zgjedhësit. Deri tani nuk është bërë asnjë fushatë qytetare për heqjen e mandatit të një anëtari të Kuvendit që nga fillimi i zgjedhjeve parlamentare demokratike deri sot me përjashtim të rasteve kur mandati është hequr me propozimin e 10 deputetëve dhe me votimin e më shumë se gjysmës së deputetëve.

10 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›