Monumenti “Pango”, po me pllakën çfarë do të bëjë Berisha...?!
Dhjetor 2007
Tiranë - Ky ishte një rast i veçantë, ndoshta një dedikim i gjetur. Askujt më parë nuk i kishte shkuar ndër mend ta bënte një gjë të tillë. Kjo po që ishte një risi e spikatur. Po aq e gjetur rezultoi dhe “surpriza” që ministri i bëri shefit të tij ditën e përurimit. Të rrethuar nga punonjësit e institucionit, atë ditë ministri dhe kryeministri e panë veten para një pëlhure të zezë, të varur me kujdes në kolonën e gardhit të Ministrisë. Ministri, pasi i premtoi diçka në vesh shefit të vet, uli spangon që lidhte pëlhurën dhe zbathi dedikimin. Duartrokitjet e punonjësve nuk kishin të sosur. Ishte moment historik. Shefi rrinte e vështronte mendueshëm dedikimin. Nuk po u besonte syve. Papritur shefi pësoi një reflektim të thellë njerëzor. Kuptoi se ndryshe nga sa i kishin mësuar, ai nuk paskësh qenë vërtet njeriu më i informuar në këtë vend. Mesazhin e gdhendur në pllakë nuk ia kishte thënë askush më parë dhe ai vetëm në ato momente po e mësonte se çfarë nismëtari paskësh qenë dhe se çfarë kujdesi të pamatë kishte treguar për godinën në gardhin e së cilës ishte montuar pllaka e mermerit. Kjo gjë e mallëngjeu shumë. Pa e ditur as vetë, puna e madhe që kishte bërë bashkë me ministrin e tij ishte shpërblyer e gdhendur në gur mermeri.
Pasi i kaloi disi afshi i mallëngjimit, shefi u përqendrua edhe më shumë në mesazhin e gdhendur. Aty, mes rreshtave, lexoi dhe një emër të patingëlluar më parë, që i ngjalli ca mendime të çuditshme. Nuk po e kuptonte arsyen se pse në këtë pllakë ishte gdhendur dhe fjala “despot”. E pyeti në vesh ministrin e tij për këtë problem. Ministri e qetësoi dhe i tha se e ka Dhespoti, Dhimitër Dhespoti, e gjendej i gdhendur së bashku me ta, sepse ky Dhespoti kishte ndërtuar godinën e vjetër, por kishte harruar të falënderonte veten për këtë ndërtim, kështu që u pa e arsyeshme që emri i tij të futej në të njëjtën pllakatë meqë në njëfarë mënyre i kishte ndihmuar me idenë e tij shefin dhe ministrin. Shefit i pëlqeu kjo gjë. Donte ta takonte Dhespotin për ta falënderuar personalisht. Ministri, sa dëgjoi dëshirën e shefit, i kërkoi një punonjëseje që po duartrokiste numrin e Dhespotit. Punonjësja u hutua një çikë si fillim, por ia tha ministrit se i ndjeri nuk kishte lënë asnjë numër për amanet, por gjithsesi, i dha numrin e saj, që edhe ministri të mos mbetej pa gjë fare. Edhe shefi e mori vesh këtë punë dhe u ndje më i lehtësuar. Pastaj ministri e ftoi shefin që së bashku të sodisnin dhe mëkëmbjen e sallave të brendshme, që ishin rregulluar si me magji nga zelli i të dyve. Shefi pranoi, por diçka e brente përbrenda. Kishte hallin e pllakës. E pyeti ministrin se çfarë do të bëhej me pllakën kur të ndërronte stina e pushtetit? Ky ishte hall i madh. Ministri e kishte gjithnjë një përgjigje. E qetësoi plotësisht shefin dhe i shpjegoi se do të ishte vetëvrasje për ata që do të tentonin ta hiqnin atë pllakatë. Do t’u shkonte mundimi kot, se ekspozeja e asaj pllake nuk mund të zhdukej aq kollaj, sepse vepra ishte montuar me mbërthecka të fuqishme. Shefi u kënaq, i buzëqeshi ministrit dhe mendoi se ishte gati të vazhdonin....
Mars 2009
Shefi ndali eskortën, doli i vetëm nga makina dhe qëndroi një çast para pllakës. Iu duk sikur ajo kishte ndonjë veti të nëmur. Donte ta hiqte me duart e veta në ato momente atë pllakë, nuk i pëlqente më si më parë. Për një moment zgjati dorën, por e ktheu sërish mbrapsht. Ishte shumë e rrezikshme të merrej ai vetë me ato mbërthecka...
10 Mars 2009