Rama: “Punonjësit e Shëndetësisë meritojnë më tepër”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka përqendruar dje turin e shpallur prej tij “Dialog me Shqipërinë” në çështjen e Shëndetësisë. Konkretisht Rama ka vizituar dje Poliklinikën numër 9 dhe Qendrën Shëndetësore numër 4 në Tiranë, ku është njohur me mungesat e pajisjeve dhe kushteve normale të punës për stafin mjekësor në këto dy institucione. Rama është njohur gjithashtu edhe me reduktimin e listës së barnave të rimburueshme gjatë takimeve të tij me anëtarë të stafit mjekësor si dhe me pacientë.
Në fjalën e tij, kryetari i PS-së tha se partia që ai drejton do të ketë si prioritet përmirësimin e kushteve dhe pagave për punonjësit e sistemit shëndetësor. “Ne u jemi mirënjohës njerëzve të sistemit të shëndetësisë dhe i garantojmë se shumë shpejt po vjen dita që ata do të kenë atë që atyre u takon, ashtu siç ata e mendojnë”, - tha Rama.
14 Shkurt 2008