E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqësori, si do të bëhet rritja e pagave dhe kriteret e karrierës

Shaban Sulçe
Shumica dhe opozita kanë miratuar dje në Komisionin e Ligjeve draftin e plotë të ligjit të ri për Pushtetin Gjyqësor, duke realizuar pjesën më kryesore dhe më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi. Ky ligj përmirëson funksionimin e pushtetit gjyqësor, do të forcojë pavarësinë e gjyqtarëve dhe mbrojtjen kushtetuese të tyre dhe gjithashtu ul subjektivizmat që bëhen në terren për korrupsionin. Një arritje shumë e rëndësishme e këtij ligji është se ai parashikon rritjen e pagave për të gjithë gjyqtarët dhe se përcakton qartë promovimin e karrierës së tyre. Duke filluar që nga viti 2009 të gjithë gjyqtarët do të kenë rritje të pagës së tyre, po ashtu edhe kryetarët e Gjykatave të Apelit, Krimeve të rënda, të cilët do të përfitojnë një pagë në nivelin e ministrit të Drejtësisë.
Karriera
Ndryshe nga ligji i mëparshëm, ku nuk ka pasur kufizim në sasi, vetëm 10% e numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve mund të rekrutohen nga ish-gjyqtarë që nuk kanë mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Në ligjin e ri janë përcaktuar qartë edhe kriteret për zhvillimin e karrierës së gjyqtarëve. Kështu, ata duhet të kenë një përvojë 7-vjeçare si gjyqtarë në Shkallën e Parë, përpara se të emërohen në Gjykatën e Apelit. Gjithashtu nuk duhet të kenë marrë masa disiplinore në fuqi dhe të jenë vlerësuar në nivelin “shumë mirë” për aftësitë e tyre profesionale, në dy herët e fundit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në nenin 11/1 të këtij ligji përcaktohet se vlerësimi i aftësive profesionale të çdo gjyqtari do të bëhet të paktën çdo tre vjet. Renditja e tyre në listën e vlerësimit do të bëhet sipas kritereve objektive të përcaktuara paraprakisht nga KLD-ja. Kjo e fundit do të bëjë, sipas një sistemi vlerësimi me pikëzim, përzgjedhjen e gjyqtarëve që do të konkurrojnë për Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe Gjykatën e Apelit.
Pagat
Ligji i ri i Pushtetit Gjyqësor parashikon rritjen e fondit të pagave për gjyqtarët duke filluar nga janari i vitit 2009. Ai nxit përmirësimin e mënyrës së pagesës së gjyqtarëve. Shpërblimi i gjithsecilit do të lidhet më përvojën dhe rezultatet profesionale individuale në karrierë. Ligji përmban vendimin për mosreduktimin e pagës së asnjë gjyqtari, ndërkohë që parashikon rritjen e saj për gjyqtarët më me shumë përvojë. Kryetari i Gjykatës së Apelit do të marrë 10% më shumë nga paga e tij individuale si gjyqtar i shkallës respektive, ndërsa kryetari i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe kryetari i Apelit të Krimeve të Rënda, përveç 10% mbi pagën individuale si gjyqtar i asaj gjykate, merr edhe 10% të tjera shtesë për kushte të veçanta, me mundësi për të arritur pagën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, pra pagën e ministrit.
Statusi
Nenet 32 dhe 33 i këtij ligji parashikojnë se ndëshkimi disiplinor i gjyqtarit vendoset mbi baza objektive, duke shmangur arbitraritetin. Ligji klasifikon shkeljet disiplinore të gjyqtarëve, duke i ndarë në shumë të rënda, të rënda dhe të lehta dhe përcakton edhe masat disiplinore për këto shkelje. Gjyqtari do të ketë të drejtë për t’u ankuar ndaj masës disiplinore në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në rast riorganizimi gjyqësor, gjyqtari mbrohet duke i garantuar një vend pune në një gjykatë tjetër si gjyqtar, në disa institucione të tjera me pagë gjyqtari, pse 100% e pagës deri në rikthim si gjyqtar.
Kryetarët e gjykatave
Ligji i ri për Pushtetin Gjyqësor parashikon emërimin me kritere ligjore profesionale me konkurrim të hapur nga KLD-ja për kryetarët e gjykatave. Këta të fundit, ndryshe nga më parë kur kishin një mandat të pakufizuar, do të kenë një mandat 4-vjeçar, por me të drejtë rikonkurrimi. Mandati i kryetarëve të Gjykatave mbaron kur zgjidhen anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërkohë që ligji i mëparshëm i lejonte mbajtjen e të dyja funksioneve. Shkarkimi i tyre është kompetencë e KLD-së, me kërkesë të pesë anëtarëve të KLD-së, të zv.kryetarit ose të ministrit të Drejtësisë.
KLD-ja
Ligji i ri i Pushtetit Gjyqësor i kushton një rëndësi të veçantë edhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas këtij ligji, KLD-ja do të përcaktojë me short procedurën e shortit të ndarjes së çështjeve gjyqësore. Po kështu, KLD-ja do të bëjë çdo tre vjet vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarëve si dhe do të krijojë dhe përditësojë çdo gjashtë muaj listën e përhershme të vlerësimit të punës së gjyqtarëve. Ky institucion do të përcaktojë rregullat dhe kriteret për vlerësimin objektiv me pikëzim të gjyqtarëve në konkurrim për Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe të Apelit. Ligji parashikon gjithashtu që KLD-ja do të krijojë dhe mbajë regjistrin e të gjithë gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit.
Efekte të tjera
Ligji i ri për Pushtetin Gjyqësor, i miratuar në Komisionin e Ligjeve, parashikon gjithashtu shkrirjen e Gjykatave Ushtarake të Shkallës së Parë dhe të Apelit, detyrimin ligjor për ngritjen e gjykatave administrative, si dhe lehtësimin e kryetarit të Gjykatës nga përgjegjësitë administrative dhe forcimin e kompetencave të kancelarit. Gjithashtu, ndryshe nga më parë, kur presidenti caktonte numrin e përgjithshëm të të gjitha gjykatave, në këtë ligj, Presidenti i Republikës do të caktojë me dekret numrin e gjyqtarëve për çdo gjykatë.

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›