E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja përplaset me Topallin për komisionin hetimor për Gërdecin



Midis grupit parlamentar “E majta për integrim” dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka shpërthyer sërish një tjetër konflikt. Topalli është vënë në akuzë nga pjesëtarët e këtij grupi deputetësh, të cilët janë ankuar te kryetarja e Kuvendit për mungesë korrektësie dhe serioziteti në punën e saj. Gjithçka ka marrë shkas nga kërkesa e LSI-së dhe e grupit parlamentar “E majta për integrim” për ngritjen e komisionit parlamentar hetimor për ngjarjen tragjike të Gërdecit. LSI-ja e akuzon Topallin se jo vetëm po pengon ngritjen e këtij komisioni, por edhe për mungesë korrektësie. Gjatë mbledhjes më të fundit të konferencës së kryetarëve, kryetari i grupit parlamentar “E majta për integrim”, Pëllumb Xhufi, kërkoi shpjegime në lidhje me miratimin e kësaj kërkese. Por mësohet se përgjigjja e Topallit ka qenë se para një jave në emër të saj është dhënë një përgjigje zyrtare me anë të një letre, e cila i është dërguar grupit parlamentar “E majta për integrim”. Por përfaqësuesit e grupit parlamentar “E majta për integrim” e mohojnë që në zyrat e këtij grupi të ketë mbërritur letra e Topallit. Deputetë të këtij grupi bëjnë të ditur se megjithëse zyra e kryetares së Kuvendit është vetëm një kat larg nga zyra e grupit parlamentar “E majta për integrim”, në të nuk ka mbërritur asnjë letër zyrtare nga ana e Topallit. Kjo ka bërë që kryetarja e Kuvendit të akuzohet nga përfaqësuesit e LSI-së jo vetëm për mungesë korrektese, por edhe si shkaktare për pengesat në ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për tragjedinë e Gërdecit.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›