E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: “Pikat ku dështoi takimi mes Ramës dhe Metës”

Zëvendëskryetari i LSI-së tregon pse dështoi takimi mes liderëve të opozitës. Xhufi: “Zhgënjim që kur u pa prezenca e një partie të maxhorancës”

Shaban Sulçe

Ashtu siç po konstatohet edhe aktualisht, takimi i dy javëve më parë midis liderëve të opozitës duket se ka pasur si arritje vetëm rënien dakord për zhvillimin e një proteste paqësore kundër qeverisë “Berisha”. Përsa i përket çështjes së bashkëpunimit dhe koordinimit opozitar, misioni i tryezës ka dështuar. Arsyet kanë qenë të shumta, por kanë qenë të lidhura me konceptet e ndryshme të kreut të LSI-së Ilir Meta dhe kreut të PS-së Edi Rama, për mënyrën e të bërit opozitë. Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, në një prononcim për gazetën “Albania”, zbardh atë çka ndodhi në takimin e liderëve të opozitës. Sipas tij, takimi ishte zhgënjyes që në momentin e parë, ku u vu re prezenca e kryetarit të një partie të maxhorancës, Vangjel Dule i PBDNJ-së. “Kjo prani e paparalajmëruar tregonte frymën që organizuesit e mbledhjes do të organizonin edhe mbledhjen në fjalë dhe paralajmëronte gjithashtu që lufta opozitare në konceptin e lidershipit të Partisë Socialiste duhet të jetë një lufte politike e profilit fare të ulët, për objektiva që nuk janë prioritare. Dhe në të vërtetë kështu u zhvillua edhe ajo mbledhje”, - deklaron Xhufi.
Meta
Sipas Xhufit, qëndrimi i paraqitur nga kryetari i LSI-së Ilir Meta në takimin e zhvilluar, ishte një qëndrim që shprehte jo vetëm shqetësimin e LSI-së, por edhe të qytetarëve dhe të faktorit ndërkombëtar. “Zoti Meta tha pikërisht se në vizionin e LSI-së sot ka një renditje prioritetesh përpara së majtës në Shqipëri, e cila nuk përputhet me atë që është shpallur nga lidershipi i Partisë Socialiste. Në këtë takim zoti Meta deklaroi qartë se pa zbardhjen e Gërdecit nuk do të ketë shtet në Shqipëri dhe pa zbardhjen e Gërdecit, nuk do të ketë opozitë në Shqipëri”, - vijon zëvendëskryetari i LSI-së. Duke treguar më tej për takimin dhe për qëndrimin e mbajtur nga LSI-ja, Xhufi shpjegon se në bisedë, kreu i LSI-së Ilir Meta, i cilësoi të parëndësishëm objektivin e lidershipit të PS-së, që kishte të bënte vetëm me kundërshtimin e ligjit për Prokurorinë, ndërkohë që nevoja më e madhe ishte imponimi i opozitës për të larguar Sali Berishën dhe qeverinë e dështuar të tij. “Zoti Meta, në këtë takim propozoi edhe forma më të forta lufte për opozitën, siç është edhe bojkotimi i Parlamentit dhe manifestime demokratike, pikërisht për të kërkuar me këmbëngulje dorëheqjen e kryeministrit Berisha”, - vijon Xhufi.
Rama
Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, tregon se kryetari i PS-së, Edi Rama, foli në takim vetëm pas largimit të kreut të LSI-së, Ilir Meta. Ai pohon se qëndrimi i Ramës ishte shumë larg qëndrimit të LSI-së dhe kërkesës së kësaj të fundit për të forcuar rolin e opozitës. “Zoti Rama, i cili e mori fjalën pasi iku zoti Meta, kërkoi që të ndryshojë rendin e prioriteteve të opozitës, duke theksuar dhe insistuar për të treguar që jemi një opozitë e cila ka një podium në Parlament dhe nuk duhet të largohet nga ky institucion, por duhet të jetë e theksuar në luftën politike brenda Parlamentit. Pra, në këtë mënyrë mohoi si formë të luftës politike manifestimet e opozitës në rrugët dhe sheshet e qytetit. Ai këmbënguli duke thënë se ai vetë dhe partia e tij nuk do të zgjedhin rrugën, nuk do të marrin pjesë në manifestime, dhe tregoi si objektiva reale të luftës së opozitës çështje të tilla siç është ligji “Për Prokurorinë”. Zoti Rama theksoi gjithashtu se besonte se Berishës i kishte ardhur vetë fundi, duke thënë se priste vetë çmontimin e tij, por ne e kundërshtuam pasi realiteti flet ndryshe. Përballë kemi një kryeministër që po kap institucionet dhe që po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm duke planifikuar madje edhe vjedhjen e zgjedhjeve të ardhshme”, - vijoi Xhufi.
Protesta
Zëvendëskryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, bën të ditur se gjatë takimit i kishte kërkuar shpjegime Ramës se përse ai donte të zhvillohej protesta, ndërkohë që nga ana tjetër, në takim, ai ishte shprehur kundër çdo proteste apo aksioni të fuqishëm opozitar. “Zoti Rama na u përgjigj se ky miting është një përjashtim, është një miting që nuk do të pasohet nga të tjerët dhe është një miting ku janë thirrur të gjithë qytetarët, pa dallime, dhe që nuk do të parashtronte parulla të veçanta. Sipas tij, rëndësi në këtë miting do të kishte vetëm pjesëmarrja e qytetarëve dhe zgjerimi i njerëzve që do të përfshiheshin në të dhe mitingu do të ishte një miting qytetar. Nga ana tjetër, ne e kundërshtuam zotin Rama duke thënë që mënyra se si ishte paraqitur një miting i tillë, ku do të kërkohej më shumë siguri, më shumë liri, më shumë të drejta nga qeveria ‘Berisha’, është një formë disfatiste e luftës politike, sepse opozita dhe qytetarët e Tiranës dhe të të gjithë Shqipërisë, duhet të çonin një mesazh tjetër. Në radhë të parë duhet të përcillnin një mesazh jo frike, por një mesazh pikërisht kundër asaj qeverie, së cilës zoti Rama mendon t’i drejtohet për t’i kërkuar më shumë siguri, pra për t’i treguar qeverisë së inkriminuar që ne nuk kemi frikë dhe që lufta jonë politike drejtohet pikërisht kundër kësaj qeverie dhe jo kundër objektivave fiktivë apo abstraktë”, - përfundoi zëvendëskryetari i LSI-së. Pëllumb Xhufi.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›