E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI-ja zgjedh kandidaturat në Qarkun e Kukësit, Meta: “Në këtë qark do të dalim forca e dytë



Lëvizja Socialiste për Integrim përzgjedh kandidaturat që do ta përfaqësojnë atë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit në Qarkun e Kukësit. Ekipi i kandidatëve të LSI-së në këtë qark do të përbëhet nga Zef Çupi, Qemal Elezi, Hydajet Ponari si dhe Avni Hajdarmataj. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka vlerësuar maksimalisht emrat e kandidatëve që do të garojnë për LSI-në në Qarkun e Kukësit. Meta ka deklaruar se ky ekip kandidatësh do të arrijë që LSI-ja të dalë forca e dytë në Qarkun e Kukësit.
Kandidatura e Zef Çupit dhe ajo e Avni Hajdarmatajt janë emrat surprizë të LSI-së në zgjedhjet e 28 qershorit në Qarkun e Kukësit. Zef Çupi është një ish-sportist i njohur dhe biznesmen i suksesshëm. Avni Hajdarmataj është ish-ushtarak, ndërsa Qemal Elezi dhe Hydajet Ponari janë respektivisht kryetarët e degëve të LSI-së në Rrethin e Kukësit dhe në Rrethin e Tropojës.
Në Qarkun e Kukësit do të kandidohet për katër vende në parlament. Nisur nga numri i paktë i vendeve, si dhe nga numri i paktë i votuesve, Qarku i Kukësit do të ketë përqindjen më të lartë të pragut elektoral. Ky qark njihet si bastion i Partisë Demokratike, megjithatë, pavarësisht këtij fakti, LSI-ja dhe koalicioni i saj do të hyjnë në zgjedhje duke shpresuar që në këtë qark të dalë forca e dytë dhe të sigurojë mandate deputetësh.

3 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›