E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtatzënë , Ndërron jetë në plazh nëna 7-muajshe



Dyshimi / E reja mund të ketë pësuar infarkt kardiak gjatë futjes në det

Kishte shkuar në Vlorë për të kaluar një javë pushime, por nuk ka mundur t’i rezistojë diellit dhe temperaturave që i kanë dhënë komplikacione për shkak edhe të shtatzënisë, duke i marrë dhe jetën. Pas ngjarjes, ekspertiza mjeko-ligjore ka nxjerrë në pah se shkak i vdekjes së saj ka qenë pikërisht një lloj infarkti

Janë munduar t’i japin ndihmën e parë teksa e afërmja e tyre nuk është ndier mirë, por më pas gjithçka ka rezultuar fatale për jetën e saj. Në muajin e shtatë të shtatzënisë, Eriona D., 27 vjeçe nga Elbasani ka ndërruar jetë në mjediset e spitalit të Vlorës pas një komplikacioni të shfaqur gjatë kohës që ishte duke bërë plazh. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në plazhin e Zhironit në Vlorë, kur fillimisht e reja u është ankuar të afërmve se nuk ndihej mirë dhe më pas është transportuar në spital ku dhe ka gjetur vdekjen.

Megjithatë, të dhëna nga mjekët e spitalit kanë pohuar se gruaja ka ardhur pa shenja jete, edhe pse grupi i gatshëm i patrullës që ishte pranë plazhit i kishte dhënë në çast ndihmën e parë. Sipas tyre, ajo është mbajtur për më shumë se 20 minuta me goditje intensive në reanimacion, por nuk është risjellë dot në jetë. Aktualisht, ndodhen në morg për kryerjen e autopsisë. Ndërkohë janë shprehur se të dhënat e para dëshmuan për një mbytje, por dyshohet se gruaja mund të ketë pësuar edhe një atak kardiak në çastin që ka hyrë në ujë. Megjithatë, për të sqaruar dyshimet dhe për të nxjerrë të qartë shkakun e vdekjes, ajo do t’i nënshtrohet autopsisë. Ndërkohë që nga këqyrja e parë nuk rezulton të ketë shenja dhune në trup.

Ngjarja

Ndodhej në plazh në zonën e Zhironit së bashku me familjarë të saj, kur e reja ka shfaqur dhe problemet e para teksa po dilte nga deti. Sipas të dhënave të para të policisë lokale për këtë ngjarje, mësohet se menjëherë ajo është transportuar për në spitalin rajonal të Vlorës, e shoqëruar edhe nga familjarë, por me gjithë ndërhyrjet nga mjekët e repartit të urgjencës, 27-vjeçarja Eriona Bishani ka ndërruar jetë.

Më pas, ajo është çuar më pas në morgun e spitalit rajonal të Vlorës ku i është nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Mësohet se 27-vjeçarja ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Ajo prej mëngjesit kishte shkuar në plazh, ndërsa mendohet se ka qenë qëndrimi i gjatë në diell që ka bërë që e reja të ketë komplikacione kardiake.

Ekspertiza

Pas ngjarjes, ekspertiza mjeko-ligjore ka nxjerrë në pah se shkak i vdekjes së saj ka qenë pikërisht një lloj infarkti. Eriona Bishani kishte shkuar në Vlorë për të kaluar një javë pushime, ndërsa ajo nuk ka mundur t’i rezistojë diellit dhe temperaturave që i kanë dhënë komplikacione për shkak edhe të shtatzënisë, duke i marrë kështu jetën. Vdekja e saj ka qenë për shkaqe natyrore, ndërsa nuk kanë figuruar në trup shenja dhune. Trupi i pajetë i së resë është tërhequr nga morgu i spitalit të Vlorës nga familjarët e saj mesditën e djeshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›