LSI kërkon komision hetimor për kartat e identitetit
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje publikisht ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të zbardhur e bërë publike gjendjen reale në të cilën ndodhet procesi i pajisjes me karta identiteti, si dhe përgjegjësitë konkrete të mosrealizimit të tij. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Petrit Vasili, vlerësoi se procesi i pajisjes me karta identiteti është futur sot në një situatë shumë të errët dhe të paqartë, qoftë sa i takon aplikimit ashtu edhe shpërndarjes së tyre. Sipas tij, ritmi i aplikimit dhe sasia e kartave të shpërndara është shumë larg të gjithë planit të bërë publik nga vetë qeveria dhe detyrimit për të pajisur qytetarët me to për të votuar në zgjedhje. "Edhe plani i hartuar nga vetë qeveria ishte në limite kritike kohe dhe vonesat shumë të mëdha që po pranohen nga vetë qeveria e kanë kompromentuar dukshëm këtë proces", tha ai. Vasili këmbënguli se qeveria me kohë duhet të kishte marrë masa për të shpërndarë pa pagesë karta për shtresa të caktuara të varfra të popullsisë për t‘i inkurajuar ato. "Po e ripërsërisim se në gjendjen kritike në të cilën ndodhet procesi i shpërndarjes së kartave, standardet e zgjedhjeve janë shumë të rrezikuara dhe si të tilla, zgjedhjet më 28 qershor do të jenë të kontestuara", u shpreh Vasili. Duke iu përgjigjur pyetjeve të medias për sondazhin e "Zogby International", Vasili e kontestoi atë, duke ironizuar me shprehjen "ai është i denjë për në programin ‘Portokalli‘".