Malaj: Kriza ekonomike, qeveria të presë grupet e interesit
Partia Socialiste i kërkoi dje qeverisë të kontaktojë dhe të diskutojë drejtpërdrejtë me eksportuesit, ndërtuesit, me institucionet bankare dhe financiare për mundësitë konkrete të lehtësimit të vështirësive që ka ekonomia shqiptare. Ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, mendon se qeveria duhet të jetë e drejtpërdrejtë me politika dhe burime shtesë për shtresat në nevojë dhe të papunët e rinj, për të mos i braktisur në këtë situatë të vështirë. Sipas tij, ekzekutivi nuk duhet të çoroditet në debate të brendshme për politikat fiskale, duke mos e përkeqësuar më shumë riskun për deficite dhe borxhe më të rënda për vendin. "Është e qartë se qeveria ‘Berisha‘, e angazhuar kryesisht në mitingje dhe spote elektorale më shumë se sa në sfidat ekonomike të vendit, duke keqpërdorur për qëllime elektorale administratën publike dhe taksat e shqiptarëve, është realisht një qeveri në dështim dhe në ikje", u shpreh Malaj. Bazuar në shqetësimet në rritje të komuniteteve të biznesit dhe debatet në distancë që qeveria zhvillon me ta, tha Malaj, bazuar në rënien e konsiderueshme të rritjes ekonomike nga 9.9 për qind në rreth 3 për qind, bazuar në zhvillimet ekonomike në fillimin e vitit 2009, grupi parlamentar i Partisë Socialiste shpreh shqetësimin për dështimin e qeverisë në njohjen e problemeve dhe risqeve në ekonomi. "Rënia e eksporteve, rënia e importeve, rënia e dërgesave të emigrantëve, rritja e vështirësive të marrjes kredi, rënia e të ardhurave të buxhetit, niveli i ulët i investimeve publike, rritja e abuzimeve me çmimet e referencës, rritja e abuzivitetit me faturimin e energjisë, mashtrimet mediatike për projekte të suksesshme, janë vështirësitë që ka ekonomia e vendit tonë dhe që po sjellin rritjen e papunësisë dhe të varfërisë", këmbënguli Malaj. Ai shtoi se janari 2009 vërteton qartë shqetësimet e përsëritura të opozitës, aktiviteti ekonomik është në rënie, kredia vazhdon të jetë e vështirë, të ardhurat janë në rënie, TVSH për muajin janar ishte rreth 10 milionë dollarë më pak se plani, shumë tregues të të ardhurave të buxhetit janë me mosrealizim.