Ligji i ri, administratori i pallatit person juridik
Komisioni i Ligjeve ka marrë dje në shqyrtim projektligjin për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit. Kjo nismë vjen për herë të parë në Kuvend dhe sipas procedurave, dje në komision është zhvilluar vetëm seanca dëgjimore nga specialistja e Ministrisë së Transporteve, Doris Andoni, dhe deputetët kanë bërë pyetje rreth tij, për të zhvilluar në një nga mbledhjet e ardhshme diskutimin nen për nen për këtë projektligj të propozuar nga qeveria. Sipas relacionit të këtij projektligji, por edhe shpjegimit të drejtoreshës së Ministrisë së Transporteve, qeveria nëpërmjet projektligjit synon të rregullojë marrëdhëniet juridike në fushën e administrimit të objekteve të përbashkëta, të ndërtesave të banimit e truallit që janë në bashkëpronësi të detyrueshme. Nëpërmjet projektligjit u përcaktohen subjekteve marrëdhëniet mes tyre dhe me të tretët, të drejtat dhe detyrimet reciproke, por dhe sanksionet. Projektligji përcakton detyrimin ligjor që kanë banorët e një ndërtese banimi për të kontribuar në kostot për administrimin dhe mirëmbajtjen e saj. Në projektligj përcaktohet edhe detyrimi për regjistrimin ligjor, jo vetëm të pronës, por edhe të aktit të bashkëpronësisë, i cili për herë të parë hyn si një koncept i ri. Projekti përfshin ngritjen e asamblesë së bashkëpronarëve, format e administrimit të bashkëpronësisë, ku futen disa koncepte të reja.