LSI, kundër PS për protestat popullore, kërkon ndërhyrjen e OSBE/ODIHR

Ilir Meta e cilëson hipokrite sjelljen e Edi Ramës për pasaportat elektronike
Lideri i LSI apeloi ndaj të gjithë forcave politike për të bashkëpunuar në dobi të një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm që do t’i hapte rrugë marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
TIRANE - Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Iir Meta e ka cilësuar si hipokrite thirrjet e kryesocialistit Edi Rama për protesta popullore deri në plotësimin e kërkesës për shpërndarjen falas të kartave të reja të identitetit. Gjatë një komunikimi për mediat, Meta akuzoi Ramën se është po aq përgjegjës sa kryeministri Berisha për krijimin
e kësaj situate për shkak sipas tij të mënyrës sesi u hartua Kodi i ri Zgjedhor.
“Ne kërkojmë nga të gjithë forcat politike, të mos tallen më zgjedhjet në Shqipërisë, sikurse kanë bërë deri tani. Është përgjegjësi e tyre situata aktuale, të cilën ne e paralajmëruam që kur ata talleshin me Kodin Zgjedhor dhe situata e sotme është produkt i atij Kodi të papërgjegjshëm dhe jo transparent, i cili u vonua jo më kot, por qëllimisht për gati dy vite nga ata që e bënë. Pavarësisht nga të gjitha këto është momenti që koha që ka mbetur deri në 28 qershor të përdoret dhe të investohet për të arritur standardet, dhe jo për të shkatërruar procesin”, deklaroi Meta.
I pyetur nëse LSI do t’i bashkëngjitet këtyre protestave, Meta në mënyrë indirekte dha një përgjigje refuzuese.
“Ne mendojmë se Edi Rama duhet ta kishte parasysh, që kur bëri Kodin me Berishën që kartat duhet të jepeshin falas. Megjithatë, ne na vjen mirë që ai iu bashkua qëndrimit tonë që kartat duhet të jepeshin falas. Tani, e rëndësishme është që të bashkëpunohet, sidomos me faktorin ndërkombëtar dhe OSBE/ODIHR-in, dhe duhet të kemi parasysh që OSBE/ODIHR nuk duhet t’i shmanget krizës së tanishme zgjedhore që po afron në Shqipëri, sepse dhe ajo ka qenë pjesë e bërjes dhe e miratimit të atij Kodi. Faktori ndërkombëtar duhet të angazhohet dhe për një arsye tjetër, sepse Shqipëria tani është dhe anëtare e NATO-s. Dhe, një dështim i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është vetëm një dështim i Shqipërisë, është dhe një dështim për imazhin e NATO-s, është një problem më shumë për politikën e zgjerimit të NATO-s në të ardhmen dhe për suksesin dhe kredibilitetin e kësaj politike”, theksoi Meta.
Sipas tij rëndësia e këtij procesi është parësore edhe për fatin e aplikimit për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.
“Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë: do të vlerësojë aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat në varësi të suksesit ose të dështimit të zgjedhjeve të ardhshme. Gjithë këto mesazhe janë kaq të qarta. Unë nuk e kuptoj pse duhet të humbasim edhe një sekondë
apo një minutë kohë më shumë për të fajësuar njëri-tjetrin, kur dëmi do të jetë shumë i madh për të gjithë shqiptarët”, përfundoi Meta.