Edi Rama prapë me letra, s’ka guxim të përballet me votimet

Kryesocialistit po i bëhet mani shtyrja e proceseve zgjedhore dhe njëlloj si në 2007-n ka nisur letrën, me lutjen për t’i dhuruar disa vota në tryezën e bisedimeve. Sërish s’ka asnjë thirrje për marrjen e letërnjoftimeve elektronike, por vetëm përsëritje të tezave ylberiste të 99-shit Erion Veliaj
TIRANE - Taksa e votës është një çështje parimore dhe jo politike. Me këtë devizë të dyshimtë në raport me atë çka realisht po bën selia rozë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i ka dërguar dje një letër Kryeministrit Sali Berisha, ku i ka kërkuar edhe njëherë dhënien falas të kartave të identitetit për qytetarët shqiptarët.
“Taksa e votës nuk është një çështje politike. Taksa a votës është një çështje parimore”, ka shkruar midis të tjerave Edi Rama, duke përsëritur më pas Erjon Veliajn për gjithë “argumentet” që edhe ai nga pozitat e kreut të G 99-ës ka ngritur “si shqetësime” të supozuara për procesin e shpërndarjes së pasaportave elektronike.
Vetëm dy ditë më parë PS paralajmëroi se do të iniciojë një sërë protestash popullore në rast se qeveria e refuzon këtë kërkesë të vazhdueshme të Partisë Socialiste.
Pavarësisht apeleve të shumta nga ana e forcave të ndryshme politike, deri më tani kreu i PS-së Edi Rama nuk ka shkuar për të aplikuar për kartën e identitetit duke mos dhënë kështu as shembull dhe as apeluar ndaj qytetareve apo simpatizantëve socialistëve të kryejnë këtë procedurë.