E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS-ja të bëhet pjesë e procesit të shpërndarjes së pasaportave elektronike”

Presidenti Topi u bën thirrje shqiptarëve që të pajisen me karta identiteti

TIRANE - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka adresuar ndaj zgjedhësve shqiptarë apelin për aplikim për pajisjen me pasaportat elektronike, ndërsa i bëri thirrje opozitës, që të ndikojnë te qytetarët për t’u pajisur me kartat e identitetit.
Gjatë një deklarimi të tij për mediat, në përfundim të pjesëmarrjes së tij në programin festiv për kremtimin  e lindjes së Profetit Muhamed, organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe Fondacioni SEMA, Presidenti Topi u shpreh se, “Unë i bëj thirrje edhe një herë dhe nuk do ta teproj duke bërë këtë thirrje. Të dashur bashkatdhetarë! Shkoni aplikoni! Aplikoni, sepse nuk është thjesht në funksion të zgjedhjeve, por për shumë, për shumë aksese që ju keni në administratë e mbi të gjitha për të respektuar vetveten. Secili duhet të identifikohet”.
Kreu i Shteti ndërsa ka vlerësuar rolin e partive politike në këtë proces, ka fshikulluar edhe qëndrimin e PS-ës, bashkë edhe me një thirrje ndaj partitë politike, për përfshirje në procesin e shpërndarjes normale dhe në kohë të pasaportave elektronike duek sensibilizuar përkrahësit e tyre respektivë.
“Të gjithë duhet të sintonziohen në shqetësimin, të gjithë të kenë një zë, të gjithë t’u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre, asaj pjese të popullsisë, që mund të jetë indiferente ndaj partive politike, t’u bëjnë thirrje që të shkojnë të aplikojnë dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë një ditë feste për Shqipërinë për demokracinë”, u shpreh Kreu i Shtetit.
I pyetur për deklaratat në distancë mes mazhorancës dhe opozitës, lidhur me procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, Presidenti Topi u shpreh se “në këtë situatë ka vend për angazhim, por nuk besoj se ka vend për pesimizëm”.
Pyetjes nëse Kreu i Shtetit mund të thërrasë në një tryezë partitë politike ai iu përgjigj se, “Unë mendoj që ende partitë politike, administrata duhet të gjejnë angazhimin dhe unë besoj që është angazhimi, për të ardhur pastaj pa diskutim në një kohezion të të gjithë forcave politike. Besoj që të gjithë kanë mundësinë, shansin që të angazhohen dhe të prononcohen”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›