E Diel, 1 Nëntor 2026

“Puna e filluar do të vazhdojë për ta anëtarësuar Shqipërinë në BE”

Fatmir Mediu, takon anëtarë dhe simpatizantë të PR-së, në Kukës

TIRANE - Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i shoqëruar nga Ministrja e Shëndetësisë  Anila Godo dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së kësaj force ishin në takimin e radhës në qytetin e Kukësit.
Në fjalën e tij Mediu tha se koalicioni i djathtë është zgjedhja më e mirë e të gjithë shqiptarëve, se puna e bërë gjatë këtij legjislacioni është meritë e të gjithëve, reformat e ndërmarra nga mazhoranca kanë rezultuar të suksesshme mbi të gjitha nga përkrahja dhe puna e të gjithë administratës publike dhe të gjithë shqiptarëve.
“Anëtarësimi në NATO është meritë e të gjithë shqiptarëve të cilët na besuan në 2005-ën, merita dhe puna e palodhur e Forcave të Armatosura, të cilët e kanë nderuar Shqipërinë në misionet e tyre në Irak dhe Afganistan”, tha ai.
Ai foli gjithashtu dhe për rrugën Durrës Kukës, duke e cilësuar atë një projekt madhështor, i cili do të afrojë Shqipërinë dhe Kosovën.
“Ne e kemi bërë realitet me këtë rrugë e cila do të jetë historike dhe ne po përjetojmë realizimin e një vepre kaq të madhe dhe shumë domethënëse për të gjithë shqiptarët, një vepër që do të mbetet përjetë. Ne jemi të sigurt se shqiptarët do të na besojnë sërish në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ashtu si bënë në 2005-ën, do të na besojnë për të gjitha reformat e ndërmarra dhe projektet e realizuara dhe të finalizuara me sukses, siç është anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe rruga Durrës-Kukës. Puna e filluar do të vazhdojë edhe për legjislaturën e ardhshme dhe ne do të bëjmë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha më tej në fjalën e tij Mediu.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›