E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i energjisë dhe mosha e pensionit, sindikatat paralajmërojnë protesta

Autori i Lajmit: RedaksiaSindikatat kërkojnë nga Qeveria plotësimin e disa kërkesave, të cilat do të ndikojnë në rritjen e mirëqenies së familjeve shqiptare. Pjesë e tyre është shfuqizimi i rritjes së çmimit të energjisë, deri në eliminimin e humbjeve, ligji për pensionin e 13-të, shfuqizimi i rritjes në bllok të moshës së pensionit dhe përshkallëzimi i tij sipas profesioneve, miratimi brenda muajve të ardhshëm të kërkesave të minatorëve, etj. Në rast mosplotësimi të kërkesave të tyre, sindikatat paralajmërojnë fillimin e protestave masive. “Ne sot diskutuam mbi gjendjen ekonomiko-sociale në vend dhe dolëm me një konkluzion të përbashkët, që qëndrimi ynë i përbashkët do të mbështetet me protesta. Këto kërkesa do ti paraqiten qeverisë që nesër”,- u shpreh kreu i sindikatave, Fiqiri Xibri. Sindikatat kërkojnë nga Qeveria edhe përmirësimin e Kodit të Punës, si dhe krijimin e Gjykatave të Punës, të cilat do të funksionojnë së bashku me Gjykatat Administrative. Enti Rregullator i Energjisë vendosi rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 13%. Kjo rritje do të nisë të zbatohet që në janar të vitit 2010. Opozita e denoncoi rritjen si një marrëveshje të fshehtë të qeverise me pronarin çek të kompanisë së shpërndarjes së energjisë. Por kryetari i Entit, Bujar Nepravishta, ka pohuar se ky është një interpretim i gabuar i tekstit të marrëveshjes me kompaninë private çeke. Enti Rregullator i Energjisë, organizëm ligjërisht i pavarur nga qeveria, e mori këtë vendim i gjendur përballë kërkesës për rritjen me rreth 40% të çmimit. Kërkesa ishte bërë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), i cili prej një viti është në pronësi të kompanisë private çeke CEZ. Energjia, ashtu si deri më sot, do të ketë dy nivele çmimesh për konsumin familjar: ata që konsumojnë më pak, deri në 300 kvv në muaj, do ta paguajnë energjinë 10% më shtrenjtë, por nëse konsumojnë mbi këtë nivel, pjesën tjetër të energjisë do ta paguajnë rreth 14% më shtrenjtë. Lajmi ka ngjallur shqetësim popullor, ndërsa opozita denoncoi menjëherë se rritja është pjesë e marrëveshjes së shitjes së OSSH-së, që sipas saj, ishte mbajtur e fshehur nga qeveria. Por kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, thotë se çmimi u vendos të rritet për shkak të rritjes së konsumit, rritjes së importit të energjisë dhe për shkak të nivelit të lartë të humbjeve, ku hyn edhe vjedhja e energjisë.
Sipas zotit Nepravishta, vlerësohet se në Shqipëri humbet afro 33% e energjisë së konsumuar, domethënë ajo nuk paguhet.

Ky lajm është publikuar: 26/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›