E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI miraton emrat për deputetë

 

Aristir Lumezi

Kryesia e LSI-së miratoi dje sloganin e fushatës “Koha për Veprim” dhe kandidaturat për disa qarqe të vendit. E mbledhur dje pasdite, kryesia e LSI-së diskutoi dhe mori në shqyrtim kandidaturat për disa qarqe kryesisht në veri të vendit, ku listën e përbëjnë emra të njohur të politikës, por dhe të jetës shoqërore. Kryesia miratoi si kandidatura për deputetë në Shkodër, përveç Sokol Axhemit dhe ish-kampionit të sportit Seit Fishta, dhe sociologen Nora Malaj. Në qarkun e Gjirokastrës u miratuan si kandidatura për deputetë, deputeti aktual Luan Memushi dhe Genc Sinoimeri. Në qarkun e Lezhës listën e kandidatëve për deputetë të LSI-së do ta udhëheqë anëtari i Kryesisë, Dr.Gjovalin Bushi, ndërsa në qarkun e Kukësit, listën e kandidatëve do ta kryesojë Zef Çupi. Në mbledhjen e djeshme kryesia e LSI-së miratoi listën e plotë të kandidatëve për deputetë në qarkun e Dibrës, të cilët janë; Monika Kryemadhi, Agim Hysa, Ilir Balla, Bajram Krashi, Nazmi Kaja dhe Lutfije Meta. Në zgjedhjet e qershorit Lëvizja Rinore për Integrim do të ketë sloganin e vet. Kryesia e LRI-së miratoi sloganin “Rinia në veprim”. Ndërkaq dje kryetari i LSI-së ishte në Berat, ku ka prezantuar kandidaturat e saj në këtë qark, të cilët nuk kanë kaluar ende për një vendim kryesie për renditjen përfundimtare të tyre. Ata do të jenë Nasip Naço, Tomorr Kapllani, Gledian Rehovica, Mustafa Muçi, Petrit Ago dhe Sadik Muka, të cilët u mirëpritën nga të pranishmit në këtë takim. Meta tha gjatë fjalës së tij se, “është Koha për Veprim, për të marrë vendime të rëndësishme”. Sipas tij, vendimi i parë është nxjerrja në pension e Sali Berishës, sepse shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të zvarriten në varfëri dhe në probleme të jashtëzakonshme sociale. Kreu i LSI-së u tha të pranishmëve në këtë takim që pas 28 qershorit, qeveria e re që do të krijohet do të ketë një sfidë të madhe, atë të punësimit. “Angazhimi i qeverisjes së LSI-së pas 28 qershorit, do të jetë hapja e vendeve të punës, përmes programeve të rëndësishme, sikurse është programi për punësimin jetik, që do të garantojë çdo familje që nuk ka asnjë pagë”, tha Meta.

kandidatet

Shkodër
Sokol Axhemi
Seit Fishta
Nora Malaj

Lezhë
Gjovalin Bushi

Dibër
Monika Kryemadhi
Agim Hysa
Ilir Balla
Bajram Krashi
Nazmi Kaja
Lutfije Meta

Gjirokastër
Luan Memushi
Genc Sinoimeri

Kukës
Zef Çupi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›